AGK-ja reagon për tentativën e zjarrvënies në garazhin e gazetarit të RTK-së

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pas lajmit për tentativën e zjarrvënies në garazhin e redaktorit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), Alban Selimi.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, me shqetësim ka pranuar lajmin për tentim zjarrvënien e garazhit të redaktorit të transmetuesit publik, Alban Selimi. Selimi mbrëmjen e djeshme përmes rrjetit social Facebook, ka treguar se dikush ka tentuar ta frikësojë atë me këtë akt, por që nuk ia ka arritur qëllimit. ‘Dikush ia vuni flakën; me m’frikësu. S’ia arrijnë qëllimit!’, ka shkruar ai”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Gazetari i RTK-së thotë se dikush deshi ta frikësojë duke ia vënë zjarrin shtëpisë së tij

Në reagim thuhet se çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

“Për AGK-në kërcënime të tilla janë tërësisht të papranueshme dhe e cenojnë rëndë lirinë e shprehjes dhe ndikojnë në punën e gazetarëve për të raportuar në një ambient të sigurt. Andaj, kërkojmë urgjentisht nga organet kompetente që të hetohen motivet e këtij sulmi, dhe autori të vihet para drejtësisë”, thuhet në reagim.

Për këtë rast ka njoftuar edhe Policia e Kosovës në raportin 24-orësh. Sipas Policisë rasti ka ndodhur të enjten rreth orës 18:25 në Fushë-Kosovë. “Raportohet se në rrethana të panjohura në zjarr janë përfshirë dyert e garazhdës së viktimës mashkull kosovar. Zjarrfikësit kanë shuar zjarrin. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e Policisë.