AKB: Bizneset nuk po pasurohen nga kriza – po mbijetojnë nën barrë të rëndë financiare

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka hedhur poshtë deklaratat e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ka thënë se nga kriza e naftës po përfitojnë bizneset falë politikave qeveritare. Sipas AKB-së, këto pretendime nuk qëndrojnë dhe nuk pasqyrojnë realitetin ekonomik me të cilin po përballen kompanitë në vend.

Në reagimin e saj, AKB thekson se marzha e fitimit prej vetëm 2 centësh në shumicë dhe 12 centësh në pakicë nuk mund të konsiderohet fitim i garantuar, por vetëm një hapësirë minimale për mbijetesë në një treg të karakterizuar nga rritja e vazhdueshme e kostove operative dhe financiare. Organizata shton se bizneset janë të detyruara të operojnë në kushte gjithnjë e më sfiduese ekonomike.

Sipas AKB-së, kompanitë aktualisht përballen me dyfishim të kapitalit qarkullues për furnizim me derivate të naftës, rritje të interesave bankare – të cilat mbeten më të larta krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian – si dhe zgjerim të bazës tatimore dhe barrës së TVSH-së. Po ashtu, janë shtuar provizionet bankare dhe rreziku tregtar si pasojë e turbulencave në tregjet globale të energjisë.

Aleanca Kosovare e Bizneseve vlerëson se bizneset nuk janë përfitues të krizës, por bartësit kryesorë të saj, duke siguruar furnizimin e tregut dhe stabilitetin ekonomik në rrethana të vështira. AKB apelon për politika konkrete mbështetëse ndaj sektorit privat dhe thekson se deklaratat e pabazuara politike dëmtojnë klimën ekonomike, investimet dhe besimin në biznesin vendor.