Antikorrupsioni nis vertifikimin e pasurisë së ambasadorit Martin Berishaj

Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka nisur procedurat për verifikimin e pasurisë së ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Drejtori i AKK-së, Yll Buleshkaj e ka konfirmuar për KOHËN se procedura ka nisur të martën.

“AKK ka iniciuar procedurat për verifikim të pasurisë së deklaruar nga z. Berishaj”, ka thënë Buleshkaj.

Emri i Berishajt është përfshirë në një skandal financiar të raportuar nga një medium në Slloveni. Emri i tij është krahas kryetarit të partisë Lëvizja për Liri në Slloveni, Robert Golob, i cili të dielën i ka fituar zgjedhjet.

Sipas Planet TV, politikani slloven është duke u hetuar ndërkombëtarisht për disa transaksione që i ka dërguar nga një degë serbe e furnizuesit energjetik slloven GEN-I, te kompania e ambasadorit kosovar MB Consulting.

Vetë Berishaj i ka mohuar këto akuza dhe ka paralajmëruar padi ndaj mediumit slloven.

Mbështetur në këtë raportim, kompania e Berishajt i ka marrë 600 mijë euro, të cilat gradualisht i ka nxjerrë në para të gatshme e që dyshohet se ia ka kthyer Golobit, që ky pastaj t’i investojë në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet.

Raportimi për përfshirje të Berishajt në shpëlarje të parave ka nxitur reagime të shumta në Kosovë. Partitë opozitare, të cilat ditëve të fundit kanë bërë përpjekje për themelim të një komisioni hetimor për krizën energjetike në vend, por që kanë dëshrtuar deri më tash, e kanë lidhur këtë me rastin e Berishajt.

Për rastin e ambasadorit Berishaj, presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar javën e kaluar se i besojnë atij dhe se këto çështje janë për organet e drejtësisë.

“Ne i besojmë ambasadorit të Republikës së Kosovës, sepse është ambasador i Republikës sonë kur mohon akuza të tilla dhe natyrisht ai do t’i drejtojë të gjitha këto çështje në organet e drejtësisë. Dhe pastaj të gjithë bashkërisht e presim vendimin e organeve të drejtësisë para se të bëjmë konstatime siç i dëgjuam”, ka thënë presidentja Osmani të premten.