Astrit Desku kritikon Qeverinë: Studentët po lihen anash, ndërsa shteti paguan bileta turistike

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Astrit Desku, ka reaguar përmes një postimi lidhur me gjendjen e studentëve kosovarë që studiojnë jashtë vendit, duke kritikuar politikat aktuale të institucioneve ndaj të rinjve.

Desku ka theksuar se shumë studentë nga Kosova, përveç studimeve, detyrohen të punojnë punë të ndryshme për të mbuluar shpenzimet dhe për të lehtësuar barrën ekonomike të familjeve të tyre.

Sipas tij, studentët punojnë si kamarierë, shitës në markete apo në profesione të tjera, vetëm që të arrijnë të përfundojnë shkollimin me dinjitet.

“Në vend që të përkrahet kjo shtresë e të rinjve, që mision të vetëm kanë ngritjen profesionale dhe kontributin për shoqërinë e Kosovës, shteti po paguan bileta aeroplani për qëllime turistike”, ka shkruar Desku.

Ai ka kritikuar prioritetet e institucioneve, duke thënë se ndihmat po orientohen tek persona që, sipas tij, kanë jetë dhe punë stabile, ndërsa studentët mbeten pa mbështetje të mjaftueshme.

“Kjo është mungesë vizioni dhe mungesë prioritetesh për ndërtimin e së ardhmes së rinisë”, ka deklaruar ai.

Në fund të reagimit, kandidati i LDK-së u ka bërë thirrje qytetarëve dhe të rinjve që të mbështesin ndryshimin dhe të rikthehet fokusi tek arsimi, dija dhe meritokracia.

“Duhet ta ndryshojmë këtë rrjedhë të degradimit shoqëror dhe ta kthejmë fokusin tek të rinjtë, dijet dhe meritokracia”, ka përfunduar Desku.