Avdullah Hoti, tregon se a është LDK-ja pro tërheqjes së 30% të parave nga Trusti

Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, në një deklaratë për Demokracia.com ka thënë se për shkak të rritjes së madhe të çmimeve të mallrave, konsumit dhe energjisë, kriza ekonomike sivjet mund të jetë në përmasa të krizës së pandemisë.

Prandaj, ai deklaron se pakot mbështetëse për qytetarë duhet të jenë të natyrës së njëjtë me kohën e pandemisë.

Duke folur për Demokracia.com, Hoti është shprehur pro tërheqjes së një shume të kursimeve pensionale, por jo shumës prej 30 përqind sa është propozuar nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu.

Hoti ka thënë se përveç rritjes së pagës minimale nuk duhet hedhur poshtë edhe propozimi për tërheqje të një shume të kursimeve pensionale, por një shumë më të vogël sesa ajo që është propozuar. Sipas tij, kjo me qëllim të ruajtjes së stabilitetit afatgjatë të kursimeve për sigurinë e të ardhurave për pensionistët e ardhshëm.

Ish-kreu i ekzekutivit ka prezantuar tri masa se si të ndihmohen qytetarët e Kosovës, në kohën kur po përballen me rritje të çmimeve të produkteve bazike ushqimore.

“Masa e parë është indeksimi i pensioneve dhe ndihmave sociale për normën e inflacionit të çmimeve të produkteve ushqimore bazike, që nënkupton rritjen e tyre për aq sa janë rritur çmimet e produkteve ushqimore bazike. Kjo masë i prekë të gjithë qytetarët mbi moshën 65 vjeçare, si dhe të tjerë që marrin çfarëdo asistence nga shteti. Masa e dytë është rritja e subvencioneve në bujqësi për shkak të rritjes tej mase të çmimit të farërave, plehrave dhe inputeve të tjera për bujqësi. Kjo rritje e subvencioneve siguron që rreth 1/3 e familjeve kosovare të mbajnë nivelin e të ardhurave që marrin nga aktiviteti i tyre bujqësorë. Masa e tretë është rritja e menjëhershme e pagës minimale sipas një indeksi që merr parasysh koston e jetesës, si dhe rritjen e pagave në sektorin publik gjithashtu bazuar në një indeksim për koston e jetesës. Këtu nuk duhet hedhur poshtë edhe propozimi për tërheqje të një shume të kursimeve pensionale, por një shume më të vogël sesa ajo që është propozuar me qëllim të ruajtjes së stabilitetit afatgjatë të kursimeve për sigurinë e të ardhurave për pensionistët e ardhshëm. Kjo masë prek të gjithë të punësuarit në sektorin publik dhe privat”, ka thënë Hoti për Demokracia.com.

Ndërkohë, kundër tërheqjes së 30 për qind të mjeteve nga Trusti Pensional është shprehur edhe partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – si partia më e madhe opozitare, ka propozuar tërheqjen deri në 30 për qind të kursimeve pensionale.

Deputeti i kësaj partie, Bekim Haxhiu, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së më 9 mars ka dorëzuar në Kuvend Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, i cili do të mundësonte tërheqjen e këtyre mjeteve.

Ky projektligj pritet t’i dërgohet Kryesisë së Kuvendit për futje në rend dite për shqyrtim.

Ndryshe, gjatë kohës sa ishte kryeministër i Kosovës, Avdullah Hoti në Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike kishte paraparë edhe tërheqjen e 10 përqind nga kursimet pensionale në Trust.

Qeveria Hoti asokohe prezantoi programin për Rimëkëmbje Ekonomike pas pandemisë, i cili synonte ofrimin e mbështetjes për sektorin privat dhe kompensimin e humbjeve të shkaktuara nga pandemia.

Në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës, Kuvendi i Kosovës pati miratuar Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike me 72 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. /Demokracia.com/