Babai i Edon Zhegrovës: Lille nuk e liroi për ndeshjen me Izraelin, ka pasur shumë dëshirë të vijë

Babai i Edon Zhegrovës, Lulzimi ka treguar arsyen e mungesës së djalit të tij për tri ndeshjet e Kosovës në nëntor.

Lulzim Zhegrova në një përgjigje ekskluzive për drejtorin e Futbollit në Artmotion, Arlind Sadiku, ka deklaruar se dëshira e Edonit ishte që të vinte.

Megjithëse, babai i Zhegrovës tregon se Lille nuk e ka lejuar që të grumbullohet për ndeshjen me Izraelin.

“Lille e ka liruar Edonin për ndeshjet ndaj Zvicrës dhe Bjellorusisë. Ai ka pasur shumë dëshirë të vijë, mirëpo Federata i ka thënë meqë nuk po të lirojnë për ndeshjen me Izraelin, kemi marr vendim mos të ftojmë për këto dy ndeshje. Ky është realiteti”, ka deklaruar Lulzim Zhegrova.

Përndryshe, ndeshja mes Kosovës dhe Izraelit zhvillohet sot duke filluar nga ora 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri”.