Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka mirëpritur një vlerësim të pavarur të Independent Evaluation Group (IEG) të Grupit të Bankës Botërore, i cili evidenton progresin e Kosovës në forcimin e sektorit financiar dhe modernizimin e infrastrukturës financiare.
Sipas raportit, BQK-ja ka luajtur rol të rëndësishëm në forcimin e stabilitetit financiar, përmirësimin e kuadrit rregullativ dhe mbikëqyrës, si dhe modernizimin e sistemit të pagesave.
IEG vlerëson se korniza mbikëqyrëse e BQK-së është harmonizuar në masë të konsiderueshme me standardet dhe praktikat e Bashkimit Evropian. Raporti veçon edhe avancimin e mbikëqyrjes së bazuar në rrezik dhe forcimin e mekanizmave për menaxhimin e krizave financiare.
Një ndër fushat kryesore të evidentuara është modernizimi i sistemit të pagesave dhe përgatitjet e Kosovës për integrimin në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).
Sipas vlerësimit, BQK-ja ka udhëhequr procesin e modernizimit të infrastrukturës kombëtare të pagesave dhe harmonizimit të saj me standardet evropiane. Kjo, sipas raportit, krijon bazë për pagesa më të shpejta, më efikase dhe më të sigurta për qytetarët dhe bizneset.
Raporti veçon gjithashtu Strategjinë Kombëtare të Pagesave dhe reformat në këtë sektor, të cilat kanë ndihmuar në rritjen e përdorimit të pagesave elektronike dhe në përshpejtimin e transformimit digjital të sektorit financiar.
Këto zhvillime, sipas IEG-së, mund të kontribuojnë në rritjen e konkurrencës, nxitjen e inovacionit, zgjerimin e përfshirjes financiare dhe përmirësimin e mbrojtjes së konsumatorëve.
Megjithatë, raporti thekson se një pjesë e përfitimeve të reformave pritet të materializohet plotësisht gjatë viteve të ardhshme, në fazën e zbatimit të tyre.
BQK-ja e ka cilësuar vlerësimin si konfirmim të progresit të arritur në sektorin financiar dhe ka deklaruar se do të vazhdojë reformat që synojnë forcimin e stabilitetit financiar dhe përafrimin e mëtejshëm të sistemit financiar të Kosovës me standardet evropiane.
Misioni vlerësues dhe faktmbledhës i Bankës Botërore ishte pritur nga BQK-ja në një takim të zhvilluar më 8 dhjetor 2025. Raporti për Kosovën është pjesë e një vlerësimi më të gjerë të angazhimit afatgjatë të Grupit të Bankës Botërore në vend.