Bayerni rivalizohet nga dy gjigantët anglez për Joao Palhinhan

Joao Palhinha është objektivi kryesor i Bayern Munichut për repartin e mesfushës, me gjigantin gjerman që po tenton transferimin e tij në janar.

Në fakt bavarezët ishin shumë pranë t’i sigurojnë shërbimet e tij edhe në verë, por transferimi i portugezit në Munich dështoi në minutat e fundit.

Mesfushori luzitan i kishte kryer edhe testet mjekësore me bavarezët, por në fund Fulham ndaloi transferimin pasi nuk gjetën dot një zëvendësues për të.

28-vjeçari vazhdon të jetë subjekt i spekulimeve për të ardhmen e tij dhe tani ka interes nga Manchester United dhe Liverpool.

Djajtë e Kuq po kërkojnë të forcojnë mesfushën e tyre, duke marrë parasysh shitjen e Casemiro dhe largimin e mundshëm të Donny van de Beek në janar.

Nga ana tjetër, Liverpooli, pavarësisht se ka përforcuar mesfushën e tij në verë, mbetet i vëmendshëm ndaj mundësive të tregut, veçanërisht me pasigurinë për kontratën e Thiago Alcántara, e cila skadon në qershor 2024 dhe spanjolli mund të largohet në afatin kalimtar dimërorë.

Megjithatë dy gjigantët anglez përkundër se kanë shfaqur interesim për portugezin, transferimi i tij nuk do të jetë i lehtë pasi Palhinha preferon kalimin në Munich.

Gjithsesi Fulham synon që nga shitja e tij të fitojë rreth 60 milionë euro.