BE-ja kundërshton vendimin për masat e reciprocitetit

Një vendim i së shtunës në mbrëmje i qeverisë në detyrë të Kosovës për të zgjeruar masat e reciprocitetit me Serbinë, ka nxitur reagime në Kosovë, Bruksel dhe Serbi. Vendimi i qeverisë ka të bëj me moslejimin e hyrjes së mallrave serbe, të cilat nuk posedojnë dokumente që i referohen Kosovës me emrin e saj kushtetues, Republika e Kosovës.

“Edhe emri ‘Kosovë’ është kushtetues, mirëpo, së fundmi Serbia ka ndërruar qasje duke kushtëzuar përdorimin e emrit ‘Republika e Serbisë’. Ne i kundërvihemi me masë reciproke. Obligohet Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë të përdorë stemën dhe emrin ‘Republika e Kosovës’ në të gjitha certifikatat fitosanitare dhe veterinare. Pra, asnjë maune nuk mund të hyjë në Kosovë nëse në certifikatat e tyre nuk figuron: Republika e Kosovës”, shkroi kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, të dielën.

Më 31 mars, qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti kishte shfuqizuar tarifën ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjë dhe Hercegovinës, duke e zëvendësuar me masën e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë dhe për çështje të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak, ka shprehur zhgënjimin për masat e reja të reciprocitetit ndaj Serbisë, të cilat i ka miratuar qeveria në detyrë e Kosovës.

“I zhgënjyer në lidhje me masat e reja të reciprocitetit të paraqitura nga qeveria në detyrë e Kosovës. Këso veprime të njëanshme dëmtojnë rifillimin e dialogut dhe duhet të hiqen menjëherë. Siç është thënë në vazhdimësi, ne presim që të dyja palët në dialog të zbatojnë dhe të respektojnë marrëveshjet e kaluara”, ka shkruar Lajçak në rrjetin social Twitter.

Pas reagimit të Lajçakut, kryeministri Kurti ka thënë përmes një postimi në Twitter se”refuzimi i parimit të reciprocitetit është mohim i ushtrimin të të drejtave sovrane të Kosovës”.

Kjo është hera e parë që zyrtarët e Bashkimit Evropian shprehen me tone kritike për masat e reciprocitetit të qeverisë në detyrë të Kosovës ndaj Serbisë. Pas heqjes së tarifës 100% ndaj mallrave serbe dhe vendosjes së masave të para të reciprocitetit, zyrtarët e BE-së kryesisht nuk e kanë komentuar këtë çështje, por vetëm kanë përshëndetur heqjen e tarifës.

Më 7 prill, Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqje të tarifës ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

“Bashkëpunimi rajonal është kyç ashtu si është tregtia e lirë, në një kohë krize si tash me përballjen me COVID-19”, ka thënë Borrell.

Më herët, Shtetet e Bashkuara, përmes ambasadës së tyre në Prishtinë, kanë thënë se kundërshtojnë masat e reciprocitetit, që u ka vënë Qeveria në detyrë e Kosovës mallrave nga Serbia.

“Shtetet e Bashkuara ishin të qarta se Kosova duhet t’i heqë të gjitha tarifat dhe të mos krijojë barriera të reja, sepse këto politika i lëndojnë njerëzit e Kosovës dhe e ngufatin ekonominë e vetë Kosovës. Mbesim në kundërshtim të veprimit të fundit për zbatimin e masave të reciprocitetit ndaj qarkullimit të mallrave nga Serbia”, thuhej në reagimin e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, të bërë më 1 prill.

Pas vendimit të mbrëmshëm të qeverisë në detyrë të Kosovës, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, tha se dialogu në Bruksel nuk do të vazhdojë derisa të gjitha këto vendimet nuk tërhiqen nga ana e autoriteteve të Prishtinës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kundërshtuar vendimin e qeverisë në detyrë të Kosovës për të zgjeruar masat e reciprocitetit me Serbinë.

“Me vendimin për kinse reciprocitet, ai vazhdoi duke bërë hapa në kundërshtim me kërkesat dhe pritjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe të BE-së, duke rrezikuar tërë atë që kemi arritur dhe ndërtuar për më shumë se dy dekada. Kosova ka fituar lirinë dhe shtetësinë me përkrahjen e SHBA-së dhe partnerëve evropianë dhe vetëm me këtë përkrahje e partneritet ka të ardhme të sigurt. Çdo cenim i këtyre raporteve është rrezikim i shtetit dhe rrezikim i së ardhmes së Kosovës.”, ka shkruar presidenti Thaçi në rrjetin social Facebook.

I mandatuari i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Avdullah Hoti, ka thënë se veprimet e fundit të qeverisë në detyrë të Kosovës “nuk e ndihmojnë vendin, por e vënë atë në kurth”.

“Qeveria e re do të koordinohet me partnerët strategjikë të Kosovës duke hequr çdo pengesë për dialog. Vetëm përmes këtij koordinimi ne e avancojmë pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe ia heqim Serbisë alibinë për ta zvarritur marrëveshjen për njohjen reciproke”, ka shkruar Hoti në rrjetin social Facebook.

Qeveria Kurti e ka hequr tarifën ndaj mallrave serbe duke e zëvendësuar atë me masat e reciprocitetit.

Mirëpo, Serbia ka thënë se nuk do të ketë vazhdim të dialogut pa u shfuqizuar të gjitha masat, përfshirë reciprocitetin.

Dialogu Kosovë-Serbi, i cili ka nisur qysh në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së, është ndërprerë qysh në fund të vitit 2018, për shkak të një takse që u kishte vënë Qeveria e atëhershme e Kosovës prodhimeve të importuara nga Serbia. /Rel/