Besnik Bislimi e komenton arrestimin e Dardan Molliqajt: Nuk është arrestuar si ish-anëtar i VV-së

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka komentuar arrestimin e kreut të PSD-së, Dardan Molliqajt.

Bislimi ka thënë se nuk ka as kohë e as interesim të merret me tipin e Dardan Molliqajt.

Megjithatë, sipas tij, Molliqaj nuk është arrestuar sepse ishte anëtar i VV-së, apo për pozitën që ka sot, por për shkak të detyrimeve të Policisë së Kosovës.

“Kam zero kohë, zero interesim të merrem me një tip si Dardan Molliqaj”, është shprehur Bislimi në Desk.

“Nuk është arrestuar si ish-anëtar i VV-së, apo për atë që është sot, por për shkak të detyrimeve të policisë”, ka thënë Bislimi.

Zëvendëskryeministri Bislimi njëkohësisht mban edhe poziten nënkryetar i Vetëvendosjes, parti në të cilën bëntë pjesë Molliqaj vite më parë, madje në strukturat më të larta.

PSD organizoi protestë të shtunën kundër rritjes së çmimit të rrymës, ku pjesëmarrës ishin disa mijëra veta. 

Molliqaj u konfrontua me Policinë e Kosovës, megjithatë nuk u arrestua atë ditë. Ditën e diel, Molliqaj u kërkua nga Policia e Kosovës në zyrën dhe banesën e tij, por kreu i PSD-së nuk ishte aty.

I pari i PSD-së u arrestua në oborrin e T7, pak para se të fillonte emisioni Pressing, ku edhe ishte i ftuar. Me të u arrestua edhe aktivisti tjetër i PSD-së, Adem Mexhuani.