Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësim të thellë për situatën e krijuar në pikën kufitare në Morinë, ku disa ngarkesa me produkte ushqimore po mbahen të bllokuara për një periudhë të gjatë.
Sipas AKB-së, duke iu referuar një ankese zyrtare nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, disa kamionë me produkte UHT të kompanisë AGS shpk nga Shqipëria janë ndaluar që nga 20 prilli, pa një sqarim të plotë institucional.
Ngarkesat janë të destinuara për tregun e Kosovës përmes kompanive si Albi Commerce, Liridoni Distribution dhe Dualos.
AKB thekson se ndalimi është bërë me arsyetimin për analiza fiziko-kimike dhe verifikim të etiketimit, por vonesat kanë arritur deri në 15 ditë, ndërkohë që afatet standarde për këto analiza janë rreth pesë ditë pune.
“Kjo nuk është thjesht kontroll – është barrierë”, thuhet në reagim, duke shtuar se në mungesë të ndonjë rreziku mikrobiologjik apo toksikologjik, ndalimi i zgjatur është joproporcional dhe po dëmton bizneset.
Sipas AKB-së, kjo situatë po shkakton pasoja të drejtpërdrejta ekonomike, përfshirë rritjen e kostove për bizneset, shpenzime të larta për mirëmbajtjen e kamionëve frigoriferikë, rrezik për dëmtim të produkteve, vonesa në furnizim dhe në fund rritje të çmimeve për konsumatorët.
Aleanca thekson se kostoja e kësaj bllokade po transferohet te qytetarët e Kosovës, duke shtuar se nuk është kundër kontrolleve të sigurisë ushqimore, por kundërshton vonesat e pajustifikueshme dhe mungesën e transparencës.
AKB i ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse, përfshirë Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, që të publikojnë urgjentisht rezultatet e analizave dhe të lirojnë ngarkesat në mungesë të rrezikut të provuar.
Po ashtu, kërkohet vendosja e afateve të qarta për kontrollet, rritja e kapaciteteve laboratorike dhe trajtim prioritar për produktet me zinxhir të ftohtë.
Në fund, AKB paralajmëron se vazhdimi i kësaj situate rrezikon bashkëpunimin ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke ndikuar negativisht në treg dhe duke rritur më tej çmimet.