Dastid Pallaska fton udhëheqjen e Vetëvendosjes për përballje në debat

Avokati Dastid Pallaska u është përgjigjur sulmeve të militantëve dhe të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje drejtim të tij, pas debatit televiziv në Pressing të T 7. Fton zyrtarët politikë të LVV’së të përballen me të në debate.

Militantë dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë sulmuar mbrëmë avokatin Pallaska pas debatin në Pressing, ku është diskutuar për Albin Kurtin në krye të Qeverisë. Pallaska ka komentuar mënyrën se si Kurti e paraqiti një marrëveshje të ashtuquajtur sekrete të nënshkruar mes Hashim Thaçit dhe sekretarit të Përgjithshëm të NATO’s, në prill të vitit 2019.

Pallaska shkruan se beteja e vërtetë e LVV’së është me njerëzit e lirë të vendit.

Avokati thotë se me “militantët e verbër” nuk debaton e as nuk i respekton, ndërsa i fton zyrtarët politikë të Lëvizjes Vetëvendosje t’i përgjigjen ftesave të tij për debate.

Shkrimi i plotë i Pallaskës:

Fundërrinat dalin në sipërfaqe pas vërshimeve.

Mbrëmë duket se kishte një “vërshim” në “drejtorinë e këmishëzinjve virtual” të partisë në pushtet.

Kjo e shpjegon zbrazjen dhe shpërndarjen e pakontrolluar të “fundërrinave” në rrjete sociale mbrëmë vonë dhe sot.

Duket se kanë menduar se – pas diskreditimit të PAN-it – e kanë “çliruar” Kosovën edhe nga opozita.

Sa gabim janë!

Ende nuk e kanë shijuar betejën e vërtetë me njerëzit e lirë të këtij vendi.

Me militantë të verbër nuk debatoj, jo vetëm pse nuk i respektoj.

Është e panevojshme të debatohet me dikë që nuk mendon me kokën e vet.

Nëse këmishëzinjët dëshirojnë debat, i ftoj t’iu kërkojnë shefave të vet politikë që t’i përgjigjen ftesave të mia për debat.

Unë jam këtu dhe këtu do të mbetem., qoftë edhe nëse jam vetëm.

E vërteta nuk i nënshtrohet votës!/GazetaStop/