Digjen pasuritë e dy serbëve pasi regjistruan veturat me targa të Kosovës

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se një oficer serb i Policisë së Kosovës është sulmuar të hënën nga strukturat ilegale serbe, të cilat sipas tij, ia kanë djegur veturën me arsyetimin se e kishte regjistruar me targa legale të Kosovës.

Ai ka shkruar në Facebook të hënën, se tendencat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për t’i frikësuar qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë, po vazhdojnë.

Njëjtë, sipas tij, të hënën në orët e hershme të mëngjesit, është djegur edhe një depo e një qytetari serb në fshatin Grabovc të Komunës së Zveçanit, pasi e kishte regjistruar veturën e djalit të tij me targa RKS.

“Të dyja rastet janë ftesë e hapur për të luftuar institucionet e Republikës së Kosovës. I bëjmë thirrje Vuçiqit që të ndalojë së mbështeturi strukturat ilegale kriminale me aktet e tyre të dhunshme dhe terroriste ndaj qytetarëve besnikë të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.

Sveçla ka thënë se të gjitha institucionet janë të angazhuara në zbardhjen e këtyre rasteve.

“Jemi më të vendosur se kurrë që rendi dhe ligji të shtrihet në çdo cep të Republikës së Kosovës. Kurrfarë veprimi kriminal i fallangave të Vuçiqit nuk do të tolerohet dhe do të luftohet me të gjitha mjetet ligjore dhe demokratike”, ka shkruar ai.

Qeveria e Kosovës u ka dhënë afat gjithë atyre që kanë vetura me targa ilegale të lëshuara nga Serbia në emër të qyteteve të Kosovës, t’i ndërrojnë ato deri në fund të tetorit.