Disa nga bankat komerciale në Kosovë kanë publikuar së fundmi çmimore të reja, duke ulur tarifat për një sërë shërbimesh që përdoren nga qytetarët dhe bizneset. Ky zhvillim po konsiderohet si një hap pozitiv drejt uljes së kostove për klientët dhe rritjes së konkurrencës në sektorin financiar.
Ndër institucionet financiare që kanë reflektuar ndryshime në tarifat e tyre janë ProCredit Bank, TEB Bank dhe NLB Bank. Ndryshimet përfshijnë tarifa për llogaritë bankare, pagesat, kartelat dhe shërbime të tjera financiare.
Në një përgjigje me shkrim për Ekonomia Online, Banka Qendrore e Kosovës ka sqaruar se tarifat bankare përcaktohen nga vetë bankat komerciale në bazë të metodologjive të tyre, ndërsa roli i BQK-së është mbikëqyrja e praktikave të tregut, transparencës dhe mënyrës së shpalosjes së tarifave ndaj klientëve.
Sipas BQK-së, zhvillimet e fundit nuk tregojnë një fenomen të përgjithshëm të rritjes së tarifave bankare, por ndryshime individuale të çmimeve në kuadër të konkurrencës së tregut, të shoqëruara edhe me ulje tarifash nga disa banka.
“Ju keni hasur në ulje tarifash të disa prej bankave, të paktën në tri prej tyre. Nuk kemi fenomen të quajtur të rritjes së tarifave, por raste individuale dhe në konkurrencë, krahas rasteve të uljes së tarifave”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.
Institucioni thekson se qytetarët tashmë kanë më shumë mundësi zgjedhjeje, jo vetëm ndërmjet bankave komerciale, por edhe përmes institucioneve financiare jobankare dhe ofruesve të pagesave elektronike, të cilët kanë zgjeruar ofertën e produkteve dhe shërbimeve financiare.
Sipas BQK-së, gjatë periudhës së fundit janë ndërmarrë një sërë iniciativash për të rritur konkurrencën në tregun financiar, për të lehtësuar qasjen në llogaritë bazike të pagesave dhe për të përmirësuar transparencën për konsumatorët.
Një nga këto iniciativa është funksionalizimi i Platformës për Krahasimin e Produkteve dhe Shërbimeve Financiare, e cila u mundëson qytetarëve të krahasojnë tarifat dhe ofertat e institucioneve të ndryshme financiare, duke i ndihmuar të marrin vendime më të informuara.
BQK bëri të ditur gjithashtu se ka avancuar proceset mbikëqyrëse lidhur me metodologjitë e vendosjes dhe publikimit të çmimeve të produkteve financiare dhe se ndodhet në fazën përfundimtare të miratimit të një kornize të re rregullative, e cila synon të forcojë transparencën dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
Zhvillimet e fundit në sektorin bankar po shihen si tregues të një tregu gjithnjë e më konkurrues, ku fokusi po zhvendoset drejt ofrimit të shërbimeve më të përballueshme, më transparente dhe më të përshtatura për nevojat e qytetarëve dhe bizneseve.