Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se janë ekzekutuar pagesat për përfituesit që kanë plotësuar kriteret në kuadër të masës për mbështetjen e njëhershme të punëtorëve të sektorit privat, pjesë e Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0.
Sipas Muratit, pagesat janë realizuar në përputhje me afatet e paralajmëruara më herët nga institucionet përgjegjëse.
“Pagesat për përfituesit që kanë plotësuar kriteret për mbështetje të njëhershme të punëtorëve të sektorit privat, në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0, tashmë janë ekzekutuar, ashtu siç patëm paralajmëruar”, ka bërë të ditur ai.
Ndërkohë, ministri njoftoi se procesi i shqyrtimit të aplikimeve për masën e mbështetjes së studentëve është ende në zhvillim.
Sipas tij, komisioni vlerësues po vazhdon punën për verifikimin e aplikimeve, ndërsa listat përfundimtare të përfituesve do të publikohen sapo të përfundojnë procedurat e nevojshme.
“Për masën e mbështetjes së studentëve, komisioni vlerësues po vijon punën dhe do t’ju njoftojmë sapo listat të jenë gati për ekzekutim”, ka shtuar Murati.
Pakoja për Përballje me Inflacionin 2.0 synon të zbusë ndikimin e rritjes së kostos së jetesës për kategori të ndryshme të qytetarëve, përfshirë punëtorët e sektorit privat dhe studentët.