Dogana konfiskon 25% të eurove të padeklaruara në Vërmicë

Dogana e Kosovës ka konfiskuar 25 për qind të mjeteve monetare të padeklaruara të zbuluara gjatë një kontrolli në Pikën e Kalimit Kufitar Vërmicë.

Sipas njoftimit të Doganës, rasti është evidentuar gjatë kontrolleve rutinore në hyrje të Republikës së Kosovës, kur zyrtarët doganorë ndaluan për kontroll një automjet me targa vendore.

Automjeti kishte ngjallur dyshime për shkak të shpejtësisë së lartë me të cilën ishte paraqitur në pikën kufitare. Gjatë intervistimit fillestar, drejtuesi i automjetit deklaroi se nuk posedonte mallra apo mjete monetare që duhej të deklaroheshin.

Megjithatë, pas një analize të rrezikut, zyrtarët doganorë kryen një kontroll të detajuar të automjetit, ku gjetën mjete monetare që tejkalonin kufirin ligjor prej 10 mijë eurosh dhe që nuk ishin deklaruar pranë autoriteteve doganore.

Në përputhje me legjislacionin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, Dogana e Kosovës bëri të ditur se ka konfiskuar 25 për qind të shumës së padeklaruar, ndërsa për pjesën tjetër është kërkuar dokumentacion që dëshmon origjinën e ligjshme të mjeteve financiare.

Rasti është proceduar sipas kompetencave ligjore dhe autoritetet kanë bërë të ditur se procedurat administrative dhe ligjore do të vazhdojnë deri në përfundimin e plotë të shqyrtimit.

Dogana e Kosovës rikujtoi se çdo person që hyn ose del nga territori i Kosovës me 10 mijë euro ose më shumë, në para të gatshme apo mjete të tjera monetare të bartshme, është i detyruar t’i deklarojë ato tek autoritetet doganore.

Sipas Doganës, mosdeklarimi përbën shkelje të legjislacionit në fuqi dhe mund të sjellë pasoja ligjore, përfshirë konfiskimin e pjesshëm të mjeteve monetare dhe verifikimin e origjinës së tyre.

Autoriteti doganor theksoi se mbetet i përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe në luftimin e pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe krimit financiar ndërkufitar.