Dy qeveritarë e dy deputetë opozitarë, të intervistuar për rrahjen në Kuvend

Të paktën katër zyrtarë shtetërorë janë intervistuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për rrahjen e së enjtes në Kuvendin e Kosovës. Bëhet fjalë për dy qeveritarë dhe dy deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës.

Siç ka mësuar KOHA, në cilësinë e të dyshuarit është intervistuar zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ndërsa në cilësinë e të dëmtuarit ministri i Financave, Hekuran Murati. Nga deputetët, janë intervistuar Hajdar Beqa dhe Mërgim Lushtaku. Lushtaku, sipas avokatit mbrojtës, është intervistuar si i dyshuar, por edhe si viktimë.

Avokati i Lushtakut, Faton Fetahu, ka thënë se Lushtaku ka vepruar në vetëmbrojtje në rastin e rrahjes në Kuvend. Ndërsa deputeti Beqa ka thënë se është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, por ka shtuar se e ndien veten të pafajshëm dhe se “vetëm ka ndërhyrë për të ndalur tensionet”. Beqa ka thënë për KOHËN se gjithçka ka qenë “skenar i Kurtit dhe Bislimit”.

KOHA ka provuar që të marrë një përgjigje nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, si dhe këshilltari i Bislimit, Klisman Kadiu, lidhur me këtë rast. Kryeziu nuk është përgjigjur ndërsa Kadiu ka thënë se “nuk ka informacion të konfirmuar” për këtë.

Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se ka nisur hetimet për veprën penale “Sulmi”.

“Prokurori i Shtetit ka lëshuar disa autorizime me qëllim të sqarimit të plotë të kësaj çështjeje dhe në kuadër të tyre janë duke u marrë deklaratat e palëve të përfshira në këtë rast. Krejt në fund, ju njoftojmë se veprimet hetimore po vijojnë të ndërmerren në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, andaj për epilogun e tyre do të njoftoheni me kohë”, thuhet në përgjigjen pa sqarime se sa zyrtarë janë intervistuar e se cilët janë ata.

Gjatë fjalimit të kryeministrit Albin Kurti në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës, deputetë e ministra janë përfshirë në përleshje fizike. Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës në drejtim të foltores së Kuvendit, Mërgim Lushtaku ka hedhur ujë në drejtim të Kurtit dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi. Bislimi u përgjigj duke e gjuajtur me shishe. Më pas, Lushtaku e ka shtyrë ministrat Hekuran Murati dhe Albulena Haxhiun dhe ka nisur përleshja fizike ku u përfshinë edhe deputetë të tjerë.