Edhe dy javë afat për nënshkrimet për shkarkim të kryetarëve në komunat veriore

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se në tri komunat veriore, Mitrovicë të Veriut, Leposaviq dhe Zubin-Potok kanë mbetur edhe dy javë afat për t’i mbledhur nënshkrimet për shkarkim të kryetarëve, ndërsa në Zveçan edhe pesë ditë më shumë.

Në konferencë për media të mërkurën, Krasniqi ka thënë se dje kanë pasur takim me diplomatët e QUINT-it ku i ka informuar për detajet e këtij procesi.

“Kemi pasur takim me diplomatët e QUINT-it, ku i kemi informuar për detajet. Aktualisht, janë në proces të mbledhjes së nënshkrimeve. Nga përgjegjësia e nivelit qendror dhe lokal, të gjitha obligimet janë përmbushur. Katër grupe janë autorizuar për mbledhje të nënshkrimeve. Të gjitha grupet kanë autorizimet dhe dokumentet e nevojshme. Kosova vazhdimisht ka qenë konstruktive dhe udhëzimi administrativ e dëshmon këtë”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka folur edhe për masat e vendosura ndaj Kosovës. Ai ka thënë se ato vazhdojnë të jenë të padrejta.

“Si Kosovë kemi ndërmarrë të gjitha veprimet. Udhëzimi administrativ është hapi konkret që të shkojmë më zgjedhje”, është shprehur Krasniqi.

Në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq dhe Zubin-Potok ka nisur më 22 dhjetor mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë. Në Zveçan, nisi më 27 dhjetor. Afati për mbledhjen e nënshkrimeve është 30 ditë.

Në udhëzimin administrativ të bërë sivjet, duhet që 20 për qind e votuesve të regjistruar të nënshkruajnë peticionin, për të çuar në votim procesin për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Në këtë rast, në Mitrovicën e Veriut, numri i votuesve është: 18,199. Sipas përllogaritjeve, 3,640 votues përbëjnë 20% të trupës elektorale. Nëse konfirmohet nënshkrimi i peticionit nga të paktën 20 për qind e votuesve të regjistruar, në procesin e votimit duhet të votojnë pro të paktën 50 për qind, për ta rrëzuar kryetarin.

Udhëzimi Administrativ për shkarkimin e kryetarëve të komunave nëpërmjet peticionit u miratua pasi nëpërmjet protestave, serbë të veriut kundërshtuan zgjedhjen e autoriteteve lokale që morën mandatin në procesin elektoral, i cili u bojkotua nga Lista Serbe.

Për shkak të hyrjes së kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale – me asistimin e policisë së Kosovës – në fund të majit, serbët lokalë organizuan protesta në Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan.

Tensionet u përshkallëzuan në dhunë më 30 maj në Zveçan, pasi protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet mbetën të plagosur dhjetëra persona nga të dyja palët.

Bashkësia ndërkombëtare në krye me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia të ulin tensionet. Nga Prishtina kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja, ndërkaq nga Beogradi që të inkurajojë serbët të marrin pjesë në procesin zgjedhor.