Fermerët në Kosovë thonë se qumështi i freskët po gjen më lehtë treg, pas masave të Qeverisë për kufizimin e përdorimit të vajit të palmës dhe qumështit pluhur në industrinë e qumështit.
Pas muajsh pasigurie, fermerët thonë se situata në treg ka nisur të ndryshojë dhe se sasia e qumështit të pashitur është zvogëluar.
Të dhënat e Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit tregojnë se gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti janë grumbulluar dhe shitur më shumë se 45 milionë litra qumësht, krahasuar me rreth 35 milionë litra në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndryshimi vjen pas masave të ndërmarra nga Qeveria, të cilat përfshijnë kufizime për përdorimin e qumështit pluhur dhe vajit të palmës, kategorizim dhe etiketim më të qartë të produkteve, si dhe kontrolle dhe analiza laboratorike.
Arbnor Binakaj, fermer nga rrethina e Gjakovës, thotë se aktualisht prodhon rreth 270 deri në 300 litra qumësht në ditë nga rreth 40 lopë.
Ai thotë se më parë pasiguria për shitjen e qumështit e kishte penguar të investonte në zgjerimin e fermës.
“Tani do t’i rris edhe investimet dhe kapacitetet prodhuese”, ka thënë Binakaj, duke kërkuar që masat e Qeverisë të vazhdojnë.
Binakaj planifikon ta zgjerojë fermën nga 40 në rreth 100 lopë, por thotë se vendimi për investime do të varet edhe nga vazhdimësia e masave.
Edhe fermeri Xhevdet Morina, nga Rogova e Hasit, thotë se situata mund të përmirësohet, por kërkon që produktet me yndyrë bimore dhe ato me yndyrë shtazore të jenë të ndara dhe të etiketuara qartë.
Të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se gjatë shtatë muajve të parë të vitit, vlera e importit të qumështit pluhur ka rënë nga rreth 1.8 milion euro në vitin 2025 në rreth 1.3 milion euro këtë vit.
Edhe importi i vajit të palmës ka shënuar rënie, nga rreth 3 milionë euro në 2.3 milionë euro gjatë së njëjtës periudhë.
Megjithatë, këto të dhëna nuk dëshmojnë se rënia e importit të vajit të palmës është shkaktuar drejtpërdrejt nga masat e Qeverisë, pasi ky produkt përdoret edhe në industri të tjera.
Ndërsa fermerët flasin për një kthesë pozitive, përfaqësuesit e industrisë së qumështit janë më të kujdesshëm.
Gani Durmishi nga Shoqata e Industrisë së Qumështoreve të Kosovës thotë se disa kompani kanë mbetur me produkte të pashitura dhe se kërkesa për qumësht të freskët ende nuk është rritur ndjeshëm.
Sipas tij, shitjet e disa produkteve kanë rënë deri në 50 për qind, ndërsa një pjesë e fabrikave kanë pezulluar përkohësisht prodhimin e produkteve që përmbajnë vaj palme ose qumësht pluhur, në pritje të plotësimit të kërkesave të reja për licencim dhe kategorizim.
Durmishi thotë se problemi kryesor i industrisë nuk është kapaciteti përpunues, por tregu për produktet e prodhuara.
Industria e qumështit, sipas tij, ka kapacitet të përpunojë rreth një milion litra qumësht në ditë, ndërsa aktualisht përpunohen deri në 300 mijë litra.
Pavarësisht problemeve me plasimin e qumështit të freskët, prodhimi vendor nuk i mbulon të gjitha nevojat e tregut.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, prodhimi vendor mbulon rreth 66 për qind të nevojave të tregut, ndërsa pjesa tjetër sigurohet përmes importeve.
Në vitin 2024, industria e qumështit në Kosovë prodhoi produkte në vlerë prej rreth 135.2 milionë eurosh.
Në të njëjtën kohë, numri i lopëve qumështore ra nga 129.897 në vitin 2023 në 126.549 në vitin 2024.
Kjo e bën tregun e qumështit një sektor me një paradoks të dukshëm: Kosova importon një pjesë të konsiderueshme të produkteve që konsumon, ndërsa fermerët vendorë kanë pasur vështirësi për ta shitur qumështin e tyre.
Për këtë arsye, problemi nuk lidhet vetëm me sasinë e prodhimit, por edhe me çmimet, importet, produktet alternative dhe mënyrën se si industria e përpunon dhe e shet prodhimin vendor.