FH: Kosova shënon përparim në demokraci, telashe në drejtësi

Organizata Freedom House në raportin për vendet në tranzicion për vitin 2021, ka radhitur Kosovën sërish në grupin e regjimeve hibride/demokraci tranzicionale.

Kjo organizatë thekson përparim të Kosovës në disa fusha krahasuar me raportin paraprak.

Përparim është shënuar në kategorinë e qeverisjes demokratike në vend, si dhe është rritur vlerësimi për pavarësinë e Gjyqësorit.

Megjithatë, raporti thekson se pavarësisht faktit se Kosova ka zhvilluar zgjedhje të besueshme dhe relativisht të administruara mirë, institucionet e saj mbeten të dobëta dhe korrupsioni i shfrenuar ka shkaktuar mosbesim të thellë publik ndaj Qeverisë.

“Figura të mëdha politike në Kosovë, përfshirë ish-presidentin [Hashim] Thaçi dhe ish-kryeministrin [Ramush] Haradinaj, kanë lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë, të cilët luajnë role të fuqishme në politikë dhe kanë ndikuar në emërimin e udhëheqësve kyç”, thuhet në raport.

Po ashtu, raporti thekson se gazetarët përballen me presione serioze dhe rrezikojnë të sulmohen në lidhje me raportimin e tyre. Sa i takon sundimit të ligjit, thuhet se progresi pengohet nga ndërhyrja e ekzekutivit në Gjyqësor.

Sa i takon funksionimit të Qeverisë, në raport thuhet se sistemi politik i Kosovës historikisht është karakterizuar me mosfunksionim dhe jostabilitet të tij dhe se Qeveria e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, e zgjedhur në shkurt 2021, herë pas here u përpoq të zbatonte në mënyrë efektive platformën e saj të orientuar drejt reformave gjatë gjithë vitit.

Raporti veçon, gjithashtu, faktin se Serbia ende ruan ndikimin në veri të Kosovës, ku institucionet kosovare nuk kanë prezencë të fortë.

“Qeveritë ruse, kineze dhe turke kanë ushtruar gjithashtu ndikim mbi proceset qeveritare në Kosovë gjatë viteve të fundit”, theksohet në raport.

Sa i takon lirisë së shprehjes thuhet se Qeveria dhe interesat e biznesit ushtrojnë ndikim të panevojshëm në linjat editoriale, duke përfshirë edhe Radio Televizionin e Kosovës, ndërsa përmenden ngacmimet dhe kërcënimet e shpeshta ndaj disa gazetarëve.

Aty thuhet se viteve të fundit, hapësira e kufizuar është hapur për diskutime mbi tema të ndjeshme si marrëdhëniet etnike dhe çështjet LGBT+.

Sa i takon sundimit të ligjit, raporti veçon faktin se ndërhyrja politike në Gjyqësor mbetet një problem dhe korrupsioni i përhapur gjyqësor ndikon negativisht në pavarësinë e Gjyqësorit,performanca e të cilit sipas raportit, pengohet për shkak të mungesës së gjyqtarëve të kualifikuar.

“Prokurorët dhe gjykatat mbeten të ndjeshëm ndaj ndërhyrjeve politike dhe korrupsionit nga elitat e fuqishme politike dhe të biznesit, duke minuar procesin e rregullt ligjor”, vlerëson raporti.

Mes tjerash vlerësohet se dhuna në familje mbetet një problem shqetësues pavarësisht iniciativave për përmirësim të situatës.

Shqipëria nuk ka pësuar asnjë ndryshim në pikë, krahasuar me një vit më parë, në të shtatë kriteret ku e bazon vlerësimin e tij raporti i Freedom House.

Sipas raportit më të fundit, Shqipëria vazhdon të përcaktohet në kategorinë e regjimeve hibride/demokraci në tranzicion, ku përfshihen vendet ku institucionet demokratike janë të brishta dhe ku ekzistojnë sfida thelbësore për mbrojtjen e të drejtave politike dhe lirive civile.

Raporti vlerëson se në Shqipëri qeverisja në nivel kombëtar është demokratike, por e dominuar nga politika partiake klienteliste.

Zgjedhjet shpesh dëmtohen nga blerja e votës, manipulimi me votat dhe mangësi të tjera, thuhet në raport.

Sipas Freedom House, media në Shqipëri është pjesërisht e pavarur dhe ofron njëfarë niveli vëzhgimi të kujdesshëm të punës së atyre që kanë poste publike, por shumica e pronarëve të medias, thuhet në raport, i përdorin platformat e tyre mediatike për të lobuar te Qeveria dhe partitë politike.

Situata në Maqedoni të Veriut nuk ka ndryshuar në raport me vitet e kaluara, thekson Freedom House, në raportin e fundit.

Aty përmendet relaksimi i tensioneve politike që u shkaktuan në vazhdën e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017.

Raporti vlerëson përpjekjet e Maqedonisë së Veriut për të luftuar korrupsionin dhe klientelizmin.

Efikasiteti dhe pavarësia e sistemit gjyqësor mbesin shqetësime që e shoqërojnë Maqedoninë e Veriut edhe këtë vit.

“Të drejtat e procesit të rregullt ligjor mbeten të rrezikuara nga korrupsioni dhe patronazhi brenda sistemit të drejtësisë, në të cilin publiku ka pak besim. Problem mbetet ndërhyrja politike në punën e prokurorëve. Zbatimi selektiv i drejtësisë vazhdon gjithashtu, ndonëse Qeveria ka kryer disa reforma për të përmirësuar këtë çështje”, thekson raporti.

Ndërkohë që media dhe shoqëria civile marrin pjesë në diskursin e fuqishëm publik, gazetarët dhe aktivistët ende përballen me presion dhe frikësim.

“Peizazhi mediatik është thellësisht i polarizuar përgjatë linjave politike dhe mediat private janë shpesh të lidhura me interesa politike ose biznesore që ndikojnë në përmbajtjen e tyre”, thotë raporti.

Megjithatë, thuhet se funksionon një koleksion i gjerë mediash kritike dhe të pavarura, kryesisht online.

Ndërsa, gjendja është përkeqësuar në Serbi si dhe në Bosnjë e Hercegovinë, sipas Freedom House. /Rel/