“Finalja e Champion ishte një dështim” Liverpool kërkon hetim për vonimin e ndeshjes

Një ditë pas humbjes së finales së madhe të Champions League ndaj Real Madridit, Liverpooli kërkon një hetim mbi ato që i quan “çështje të papranueshme” me të cilat u përballen tifozët, që çuan në vonimin e finales së madhe, të cilën tani shumë po e quajnë dështim për mënyrën se si u organizua.

UEFA vonoi fillimin e ndeshjes me më shumë se 30 minuta, duke përmendur “arsye sigurie”. Ndeshja në “Stade de France” të Parisit nuk filloi deri në orën 21:36, ndërsa Reali mposhti në fushë Liverpoolin me rezultat 1-0.

Policia jashtë terrenit të stadiumit  hodhi gaz lotsjellës ndërsa një numër i vogël mbështetësish u përpoqën të ngjiteshin mbi barrierat e sigurisë.

Mbrojtësi i Liverpool-it, Andy Robertson, tha se organizimi i ndeshjes ishte një “shkatërrim total “. Ndërsa oficerët e policisë së Merseyside postuan në Twitter se ishte “ndeshja më e keqe evropiane që kanë punuar ose përjetuar ndonjëherë”.

Imazhe të shumta mbushën rrjetet sociale që tregonin  grumbullimin e turmave të mëdha të fansave që rrinin në radhë për të hyrë. Shumë pretenduan se kishin qenë në stadium disa orë përpara fillimit, por u ndaluan të futeshin.

“Ne jemi jashtëzakonisht të zhgënjyer nga problemet e hyrjes në stadium dhe prishjen e perimetrit të sigurisë me të cilën u përballën tifozët e Liverpool. Kjo është ndeshja më e madhe në futbollin evropian dhe tifozët nuk duhet të përjetojnë skenat që kemi parë sonte. Ne kemi kërkuar zyrtarisht një hetim zyrtar për shkaqet e këtyre çështjeve të papranueshme”, tha klubi në një deklaratë zyrtare.

Organi qeverisës i futbollit evropian, UEFA tha se i mirëkupton ata që u preken nga kjo ngjarje dhe do t’i shqyrtojë më tej këto çështje urgjentisht së bashku me policinë dhe autoritetet franceze, dhe me Federatën Franceze të Futbollit.