Gërxhaliu: MSA mundësi shumë dimenzionale e pa shfrytëzuar nga Kosova

Kosova ka nënshkruar më 27 tetor të vitit 2015 në Strasburg, Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA), me Bashkimin Evropian (BE). Kjo marrëveshje u cilësua e një rëndësie historike për integrimin politik, ligjor dhe ekonomik të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu vlerësoi se pesë vjetori i nënshkrimit të MSA-së, në mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian e karakterizon një situatë mjaft shqetësuese për Kosovën, ku për anëtarësim në BE më shumë flitet se sa punohet dhe në mungesë të aktiviteteve konkretet për të shfrytëzuar benefitet që ofron MSA, Kosova më tutje është vendi i vetëm i izoluar, jo vetëm në Evropë, por edhe më gjerë.

“Edhe për kundër mundësive që ka ofruar MSA, Kosova është i vetmi vend i getizuar pa liberalizim të vizave, një nivel të zhvillimit ekonomik mjaftë shqetësues, jo stabiliteti politik alaramant dhe bazuar në raportin e progresit, sundimi i rendit dhe ligjit është në pikën më kritike që e dëshmon të vërtetën se qasja e politikë bërësve në Kosovë, se do të merremi me korrupsionin dhe jo me luftën kundër korrupsionit është mesazh shqetësues përballë institucioneve të BE-së”, tha ai.

Sipas Gërxhaliu, deri sa vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë bërë hapa pozitiv në përmbushjen e agjendës evropiane, Kosova edhe më tutje humb kohë duke kërkuar arsyeje për dështim dhe jo për të mobilizuar forcat progresive vendore për të dalë nga dështimi.

“Kosova përveç ngecjes në zhvillim ekonomik, në sundim të rendit dhe ligjit dhe në involvimin e shoqërisë civile përmes një debati konstruktiv fal diskursit politik ku luftohet për pushtet dhe jo për shtet, ku për agjendë integruese flitet dhe nuk bëhet dhe kur skandalet e krimit dhe korrupsionit janë temat më aktuale në Kosovë janë dukuri negative që e dëmtojnë imazhin e Kosovës dhe zhgënjimin e qytetarëve kosovarë, të cilët kanë humbur shpresën për një ardhmëri më të mirë”, theksoi ai.

“Nuk mund të jetë prioritet i qeverive vendore, dialogu me Serbinë si arsyetim i dështimit, por kryerja e obligimeve nga Kosova që dalin në mënyrë të qartë nga Marrëveshje për Stabilizm Asociim. Fati i ardhmërisë së Kosovës në familjen evropiane është në duart tona në dialog dhe partneritet ndërkombëtar me BE dhe ShBA”, tha ish-kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu.

Ndryshe, MSA kërkon nga një vend që synon anëtarësimin në BE, të sigurojë se mekanizmat e tij të qeverisjes dhe të shoqërisë civile përmbushin standardet e BE-së.

Nënshkrimi i MSA-së u bë nga ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në Strasburg. Edhe pse MSA vlerësohet si një veprim i rëndësishëm i ecjes së Kosovës drejt BE-së, Kosova është shteti i vetëm në rajon që nuk ka liberalizim të vizave.