Gërxhaliu: Raporti i FMN-së vlerëson lart performancën e ATK – së

Ish-kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, tha se raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) vlerëson lart performancën e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Sipas tij, ky raport pasqyron saktë rritjen e të hyrave tatimore, si rritjen më të madhe të Kosovës në Ballkanin Perëndimor.

“Ndërsa sipas këtij raporti konfirmohet se 1/3 e rritjes i atribuohet rritjes së formalizimit të ekonomisë si rezultat i inspektimeve dhe kontrolleve të ATK-së. Një pjesë e të hyrave sipas këtij raporti është rritur edhe si rezultat i rritjes ekonomike dhe rritjes së formalizimit të punëtorëve (TAP)”, ka shkruar Gërxhaliu në “Facebook”.

Ai ka theksuar se totali i të hyrave në vitin 2022 ka qenë 2.25 miliardë euro. “Të hyrat e ATK-së në vitin 2022 = 723.9 milionë euro. Të hyrat e Doganës në vitin 2022= 1.52 miliardë euro. Rritja e të hyrave në ATK vitin 2022 në raport me vitin paraprak ishte 21.4 për qind, ndërsa e Doganës 11.4 për qind”, është shrehur Gërxhaliu.