Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka theksuar rolin në rritje të të rinjve në fushën e inovacionit, inteligjencës artificiale dhe digjitalizimit si një komponent kyç në forcimin e sigurisë kombëtare, krahas Forca e Sigurisë së Kosovës.
Sipas tij, FSK-ja, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, mbetet garancia kryesore për mbrojtjen e lirisë dhe sovranitetit të Kosovës. Megjithatë, ai vlerëson se realiteti i ri global ka ndryshuar konceptin e sigurisë, duke e zhvendosur fokusin përtej kapaciteteve tradicionale ushtarake drejt dijes, teknologjisë dhe inovacionit.
Gërxhaliu ka theksuar se “ushtria e së ardhmes” nuk përbëhet vetëm nga forcat e armatosura, por edhe nga të rinjtë – studentë, inovatorë dhe sipërmarrës – të cilët zhvillojnë ide në universitete dhe në ekosistemin në rritje të start-up-eve. Ai nënvizoi se fusha si Teknologjia e Informacionit, mekatronika, elektronika, digjitalizimi dhe inteligjenca artificiale janë bërë tashmë kritike, jo vetëm për zhvillimin ekonomik, por edhe për sigurinë kombëtare.
Në reagimin e tij, ai rikujtoi se doktrinat moderne të mbrojtjes kanë evoluar ndjeshëm si pasojë e revolucionit teknologjik. Konfliktet e fundit globale, sipas tij, tregojnë se epërsia nuk përcaktohet më nga numri i ushtarëve, por nga superioriteti teknologjik dhe inovativ, ku përdorimi i dronëve dhe sistemeve autonome po luan rol vendimtar.
Duke folur për potencialin e Kosovës, Gërxhaliu vuri në pah avantazhin e popullatës së re, por shtoi se ky potencial duhet të shndërrohet në kapital konkret përmes investimeve të qëndrueshme. Ai kërkoi rritje të investimeve në kërkim-zhvillim, mbështetje për start-up-et teknologjike, krijimin e fondeve për “defense-tech”, si dhe bashkëpunim më të fortë mes universiteteve, sektorit privat dhe institucioneve të sigurisë.
Në fund, ai theksoi se inovatorët dhe ndërmarrësit e rinj duhet të trajtohen si aset strategjik kombëtar, duke shtuar se një Kosovë e sigurt ndërtohet duke investuar në dije, inovacion dhe sipërmarrje. Sipas tij, mbështetja e këtyre fushave krijon një “ushtri të heshtur” të së ardhmes, të bazuar në teknologji dhe kreativitet.