Giresse publikon listën e Kosovës për ndeshjet e muajit qershor, risi dhe rikthime

Përfaqësuesja e Kosovës do të grumbullohet për dy ndeshjet e muajit qershor. Dardanët do të luajnë ndaj Rumanisë më 16 qershor në Prishtinë dhe tre ditë më vonë përballen me Bjellorusinë në udhëtim.

Trajneri i Kosovës, Alain Giresse ka publikuar listën me 23 futbollistë të grumbulluar për këtë dy takime të rëndësishme.

Hekuran Kryeziu dhe Elbasan Rashani janë dy rikthimet e mëdha te Dardanët për këto dy sfida, derisa në listë ndodhet edhe mbrojtësi Lirim Kastrati.

Ndërkohë për herë të parë nga Përfaqësuesja A e Kosovës janë ftuar edhe Jetmir Topalli dhe Ermal Krasniqi.

Çuditërisht në listë nuk ndodhet fare Arbnor Muja që ka shkëlqyer me Antwerpin në elitën e futbollit belg duke fituar titullin e kampionit dhe Kupën e Belgjikës.

Në listë nga grumbullimi i fundit nuk është përfshirë Florent Hadergjonaj, Zymer Bytyqi, Valon Berisha dhe Albion Rrahmani i Ballkanit.

Kosova ndodhet në Grupin I në kualifikimet për Euro 2024, ku pas dy ndeshjeve të para ka vetëm dy pikë dhe synon që të marrë fitoren e parë.