Hovenier: Çdo përpjekje për ripërcaktim të kufijve do të ishte kundërproduktive dhe destabilizuese

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka deklaruar se vendi i tij nuk e përkrah idenë e ripërcaktimit të kufijve kombëtar në rajonin e Ballkanit dhe sipas tij, çdo përpjekje për ta bërë një gjë të tillë do të ishte kundërproduktive dhe destabilizuese.

Këto komente i dërguari i Uashingtonit në Kosovë i bëri gjatë një takimi që pati të mërkurën me gazetarë në Prishtinë.

Sipas Hovenier,  SHBA-ja e përkrah integritetin territorial të çdo shteti në Ballkanin Perëndimor.

“SHBA-ja mbështet fuqishëm aspiratat drejt BE-së si dhe integritetin territorial të çdo shteti në Ballkan, përfshirë Kosovën”.

Sipas tij, vendet e rajonit duhet të përqendrohen në përmbushjen e kritereve të nevojshme në rrugën evropiane duke intensifikuar pajtimin rajonal si dhe raportet e mira fqinjësore, njofton Klankosova.tv

Ai mes tjerash theksoi se Amerika nuk e mbështet as “Shqipërinë e Madhe” dhe as “Serbinë e Madhe”.

Reagimi i tij erdhi pas vizitës së kryeministrit Albin Kurti në Maqedoni të Veriut, vizitë kjo që ngjalli reagime të shumta.