Jasharaj: Ka tendenca që të shtypet zëri sindikal – shpresoj që në janar të kemi Ligjin e Pagave në Kuvend

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj pas takimit me deputetët e AAK-së, ka kërkuar nga shefi i Grupit Parlamentar, Besnik Tahiri që të jenë zëri i kërkesave të tyre, ngase thotë se ka tendencë që zëri i tyre të shtypet.

Jasharaj tha se pret që në janar Ligji për Pagat të vijë në Kuvend.

“Lus zotëri Besnik të jetë zëri ynë kudo. Në mars kemi dorëzuar versionin por brengë është sepse është mashtrim i  radhës që nuk përcaktohet koeficienti. Deputet të jenë zë i sindikatave. Është tendencë të shtypet zëri sindikal”, tha Jasharaj.

Ai pati kritika edhe për ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.

“Zonja Nagavci është dashur të na thërras që të shohim çka po bënë me orë të humbura e jo të sjellë vendime. Uroj që Parlamenti të nxisë debatin dhe janari të na sjellë ligjin. Kërkesat janë të njëjta, por zonja Nagavci kishte deklaruar që versioni i SBAShK është më i ulët. Janë të njëjta kërkesa sepse në sektorin e arsimit koeficientet lëvizin. Uroj që janari të na gjejë me Ligjin e Pagave”, tha Jasharaj.