KB Prishtina mposht kampionin

Sigal Prishtina ka shënuar fitore në udhëtim ndaj Golden Eagle Yllit me rezultat 56:77 (21:27, 14:13, 9:14, 12:23), në xhiron e dytë të Prince Caffe Superligës.

Kjo ishte fitorja e parë për prishtinasit pas humbjes nga Peja, ndërsa verdhezinjtë kanë dy humbje në dy ndeshje.

Kryeqytetasit u udhëhoqën Murat Bilge, ndërsa luajtën pa Dardanën Berishën. Mysafirët e nisën ndeshjen mirë dhe pas një fillimi të baraspeshuar ishin më të mirë, duke e fituar çerekun e parë 21:27. Por, periudha e dytë ishte më e barabartë, ndonëse u karakterizua me shumë gabime dhe pjesa e parë përfundoi 35:40.

Bardhekaltrit ishin më të mirë në periodën e tretë, duke aplikuar mbrojtje të fortë, ku Ylli shënoi nëntë pikë për dhjetë minuta, ndërsa dallimi i madh u bë në dhjetë minutat e fundit (12:23) dhe Sigal Prishtina regjistroi fitoren e parë këtë edicion 56:77.

Te Golden Eagle Ylli u dallua Henrik Sirko me dhjetë pikë, shtatë kërcime e gjashtë asistime dhe Chris Harris me 14 pikë, ndërsa te Sigal Prishtina u dalluan Dustin Thomas me 16 pikë e shtatë kërcime dhe Derrick Ëilson me 11 pikë e shtatë asistime.