KEK-u shpall tender rreth 11 milionë euro për mensë dhe furnizimin me ushqime

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka filluar procedurat për funksionalizimin e mensës dhe furnizimin me ushqim për punëtorët e saj. E për ofrimin e këtyre shërbimeve, kjo korporatë ka publikuar para katër ditësh një thirrje për tender në shumën përafërsisht rreth 11 milionë euro.

Një vendim i tillë po vlerësohet i mirë nga Sindikata e Re e KEK-ut, vetëm nëse vendoset që ushqimi të bëhet sipas dëshirës së punëtorëve.

Kryetari i kësaj Sindikate, Nexhat Llumnica tha për Teve1.info se nëse nuk ndodh një gjë e tillë, për ta është e papranueshme, pasi “i bie që të favorizohen operatorët ekonomik”.

“Aktualisht e kanë shujtën 5 euro. Ata po pretendojnë me bo me mensa, në mensë me i ushqy punëtorët. Si vendim është i mirë, na realisht e kemi kërku një vit e gjysmë shujtën me pas 5 euro, dhe kjo është arritur vetëm pas protestave që i kemi pasur. Por oferta e operatorëve ekonomik, në rast se cenohet e drejta e punëtorëve që me ju marr shujta e me ju dhanë operatorëve ekonomik, për ne kështu është e papranueshme, sepse favorizohen operatorët ekonomik. E nëse vendoset që ushqimi të bëhet sipas dëshirës së punëtorëve, atëherë jemi okej. Përndryshe çdo cenim i të drejtës të marrjes së shujtës prej punëtorëve, i bie favorizim për operatorët ekonomik”, deklaroi ai.

Llumnica theksoi se nëse punëtorëve u detyrohet shkuarja në mensë, e cenon në mënyrë automatike të drejtën e punëtorit.

“Sindikata është e papajtueshme me u cenu çdo e drejtë punëtorit. Nëse punëtori ushqehet në ent, i ndalen prej llogarisë, nëse jo i dalin në konto. Kështu e ka Sindikata, nëse ndryshohet ndryshe, i imponohet punëtorëve me shku në mensë, është favorizim i operatorit ekonomik dhe në mënyrë automatike e cenon të drejtën e punëtorit”, ka shtuar ai.

Për më shumë detaje se si parashihet të jenë shujtat, bazuar në thirrjen e publikuar për tender, Teve1.info ka dërguar pyetje edhe në emailin zyrtar të KEK-ut, por nuk ka marrë ende një përgjigje.

Njoftimi për kontratën “Furnizimi, përgatitja, funksionalizimi i mensave dhe shërbimet që kanë të bëjnë me ushqimin e punëtorëve e KEK sh.a”, është publikuar më 21 gusht, dhe pastaj ripublikuar më 23 gusht, sipas njoftimit, “për korrigjimin e gabimeve në njoftimet e publikuara”.

Afati i fundit për pranimin e tenderëve është më 4 shtator, ndërsa kohëzgjatja e kontratës është tri vite.

Vlera e parashikuar e këtij tenderi është 10 milionë e 883 mijë e 950 euro, teksa lloji i procedurës është konkurruese me negociata.

Aktualisht, shujta e punëtorëve në KEK është në shumën prej pesë eurosh, vlerë kjo e cila bartet në kontot personale të tyre.

Deri në muajin prill, një shujtë e punëtorëve në këtë korporatë ka qenë 1.74 euro. Pas protestave të tyre për të shprehur pakënaqësi rreth kësaj çështjeje, dhe duke kërkuar rritje të pagave, nga muaji maj, shuma e shujtës ishte rritur në 5 euro.

KEK-u numëron rreth 3200 punëtorë. /Teve1.info/