Konjufca: Serbia, shumë armiqësore ndaj Kosovës, nuk ka ndryshuar drejtim politik prej kohës së Millosheviqit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konufca, ka kërkuar në Tiranë që Shqipëria dhe Kosova të jenë brenda së njëjtës kornizë sa i takon qasjes ndaj Serbisë.

Në deklaratën e përbashkët për shtyp me kryeparlamentaren Lindita Nikolla, Konjufca tha se Serbia është shumë armiqësore ndaj Kosovës. Megjithatë ai tha me bindje se Kosova nuk lëshon pe, pavarësisht se është pro paqes dhe dialogut.

“Serbia e Vuçiqit nuk e ka ndryshuar drejtimin politik, por vetëm mjetet prej kohës së Millosheviqit. Të gjithë shqiptarët duhet ta dinë që Serbia është shumë armiqësore ndaj Kosovës. Mohon pavarësinë dhe së fundmi e patë sesi presidenti nuk heziton fare edhe për ta sfiduar kornizën e sigurisë në Ballkan përmes kërcënimit të Kosovës dhe dërgimit të trupave të armatosur brenda territorit të Kosovës. Ne duam që me Shqipërinë të jemi brenda një kornize sa i përket gjykimit për Serbinë. Kosova nuk ka rrugë tjetër veçse të mbrojë interesat. Ne jemi për paqe dhe dialog, por nuk do të lëshojmë pe. Por i gëzohemi edhe çdo arritje të Shqipërisë, siç është hapja e negociatave. Rrugën e kemi të njëjtë”, tha Konjufca.

Ai ka falënderuar Shqipërinë për mbështetjen në çështje me rëndësi si liberalizmi i vizave.

Konjufca tha se fundi i vitit do t’i gjejë kosovarët me viza të liberalizuara.

“Në çdo rast që ju jepet edhe në takime të niveleve të rëndësishme e ngrini vazhdimisht çështjen e Kosovës, duke i qëndruar siç keni qenë gjithnjë afër. Edhe sa i përket domosdoshmërisë së njohjeve të reja dhe të gjitha iniciativave të Kosovës për anëtarësim në institucione ndërkombëtare dhe evropiane. Po ashtu edhe lobimi juaj i pandalshëm për liberalizimin e vizave të Kosovës. Qytetarët e Kosovës nuk kanë asnjë dyshim që fundi i vitit do t’i gjejë me heqjen e këtij regjimi të padrejtë”, tha ai. /Abcnews/