Kosova fiton me Armenin

Franco Foda ka debutuar me sukses në krye të përfaqësueses së Kosovës në futboll. Të premten mbrëma në Jerevan, Kosova fitoi 1:0 miqësoren ndaj Armenisë.

Sfida u vendos në minutën e 25-të, kur Milot Rashica e dërgoi topin në portë nga afërsia. Në fakt Edon Zhegrova shpërtheu në krahun e djathtë. Topi u devijua, preku traversën dhe përfundoi te Rashica që shënoi golin e fitores.

Kosova ka bindur me paraqitje në pjesën e parë, duke krijuar raste të shumta. Janë shquar Zhegrova e Rashica, por edhe Vedat Muriqi. Sulmuesi i qendrës, Muriqi, ishte kapiten në këtë ndeshje. Kapiteni i parë, Amir Rrahmani, u la në stol. Armenia, që është disa pozita më lartë se Kosova në ranglistën e FIFA-s, ka rrezikuar seriozisht vetëm në fundin e pjesës së parë. Pas një goditje dënimi, Aro Muriq preku pak topinm që prej shtyllës doli jashtë.

Pjesa e dytë ishte më e zbehtë për Kosovën. “Dardanët” kishin edhe disa tentime. Rastin më të mirë e lëshoi Rashica, që nuk ia doli të dribloi portierin vendas. Megjithatë deri në fund të ndeshjes Kosova nuk është rrezikuar dhe nga Armenia largohet me fitore të vlefshme.

Gjermani Foda më 17 shkurt është zyrtarizuar në postin e selektorit të Kosovës. Test dukshëm më serioz ai do të ketë pas katër ditësh. Më 26 mars, Kosova luan miqësore me Hungarinë. Dy miqësore tjera Kosova pritet t’i ketë në qershor, ndërsa në shtator fillon me ndeshje në edicionin e ri të Ligës së Kombeve të UEFA-s.

Ndeshja me Armeninë nuk ka kaluar pa telashe. Në fanellat e lojtarëve të Armenisë është shfaqur flamuri i Kosovës i kthyer mbrapshtë. Nga FFK-ja është thënë se ky ishte vetëm një gabim i paqëllimshëm i kompanisë që ka shtypur fanellat. Shumë prej lojtarëve të Armenisë në pjesën e dytë dolën me fanella në të cilat ishte mbuluar flamuri i Kosovës.

Selektori Foda është bazuar në grupin e lojtarëve të konfirmuar, ndërsa edhe mënyra e lojës nuk ka dalluar shumë me atë që ishte deri më tani. Por në përgjithësi ishte një fillim i mbarë i Kosovës me selektorin Franco Foda.