Krimet Ekonomike u interesuan edhe për kontratën e FFK-së me zyrën e avokatisë së Taulant Hodajt

Pas ndaljes së Agim Ademit për 48 orë në mbajtje, Prokuroria Themelore në Prishtinë tregoi se në lidhje me çka po hetohet kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), i cili para se të ndalet, për disa orë është intervistuar nga Policia.

“Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e Kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, për shkak të dyshimit të kryerjes së veprave penale “Keqpërdorimi i besimit”, nga neni 330 dhe “Shmangie nga tatimi”, nga neni 307 të KPRK-së”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë.

Ndërkohë, Gazeta Express ka mësuar se kontrata që Agim Ademi, si përfaqësues i FFK-së, e ka nënshkruar me Taulant Hodajn, si përfaqësues të zyrës së avokatisë, “Hodaj & Partners”, ka qenë një objekt interesimi i Krimeve Ekonomike, por nuk ka informata nëse kanë vazhduar hetimet.

Taulant Hodaj njëherësh që nga viti 2021 e kryen funksionin e ushtruesit të detyrës së sekretarit gjeneral të FFK-së.

Është konfirmuar se më datë 20.12.2022 Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion kishte bërë kërkesë në Odën e Avokatëve të Kosovës për informim nëse Taulant Hodaj ka të drejtë si avokat ta kryej njëkohësisht funksionin e ushtruesit të detyrës së sekretarit të FFK-së dhe funksionin e avokatit të FFK-së.

Kjo njësi e Policisë së Kosovës, sipas dëshmive të siguruara, ka vërejtur se me datën 23.08.2021 avokat Taulant Hodaj me vendim të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, e të nënshkruar nga Agim Ademi, është emëruar ushtrues i detyrës së sekretarit të FFK-së.

Ndërsa, me datë 01.09.2021 FFK ka lidhur marrëveshje për shërbime juridike dhe detyrave të zyrës së sekretarit të FFK-së me zyrën e avokatisë “Hodaj & Partners”. Kjo marrëveshje është nënshkruar nga kreu i FFK-së, Agim Ademi, dhe Taulant Hodaj, në këtë rast si aksionar i kësaj zyre të avokatisë.

Duhet kujtuar se vetëm gjatë vitit 2021, FFK-ja ka paguar 42 mijë euro në “Hodaj & e Partners” për shërbime ligjore, sipas një raporti të auditimit të vitit 2021.

Ndërkohë, një grup “opozitar” i kryesisë së FFK-së në vazhdimësi kanë tërheq vërejtjen se Taulant Hodaj po e kryen paligjshëm detyrën e sekretarit gjeneral të FFK-së duke qenë avokatë nga Oda e Avokatëve të Kosovës dhe aksionarë në zyrën e avokatisë “Hodaj & Partners”, shkruan Gazeta Express.

Po ashtu, Taulant Hodaj ka zënë vend edhe në procesin e ri-licencimit të FFK-së nga Komisioni i Ministrisë së Sportit, i cili ende nuk e ka licencuar FFK-në shkaku i një varg kriteresh të pa përmbushura, sipas këtij komisioni ministror.

Njëri nga kushtet e pa përmbushura ka pasur të bëjë me pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm, të cilën avokati Hodaj e mbante si ushtrues detyre. Komisioni i kërkoi FFK-së që ajo ta ketë një Sekretar të përhershëm siç e kërkon Statuti i Federatës me mandat katërvjeçar, të propozuar nga kryetari dhe të votuar nga Komiteti Ekzekutiv.