Kurti e përfundon vizitën në SHBA, e nis në Zvicër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Zvicrës për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror, që do të mbahet në qytetin Davos.

Siç njoftoi Zyra e Kryeministrit të hënën, Kurti do të takohet me përfaqësues të kompanive të ndryshme dhe liderë politikë. Ai gjithashtu do të marrë pjesë në panelin “Dialogu i Diplomacisë për Ballkanin Perëndimor”.

“Gjatë qëndrimit në Zvicër, kryeministri Kurti gjithashtu do të zhvillojë takime me mërgatën tonë”, thuhet në njoftim.

Kryeministri Kurti e përfundoi vizitën gati 20-ditëshe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku takoi sipërmarrës, senatorë e bashkatdhetarë.