Kurti: Epopeja e UÇK-së, kthesa vendimtare e historisë sonë drejt lirisë dhe pavarësisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar përvjetorin e Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar atë si ngjarjen më të rëndësishme të historisë bashkëkohore të vendit dhe një kthesë vendimtare në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë.

Në një fjalim para kabinetit qeveritar dhe mediave, Kurti tha se marsi i vitit 1998 shënoi një moment historik për Kosovën, kur në Prekaz ndodhi përballja e njohur e familjes Adem Jashari me forcat serbe më 5, 6 dhe 7 mars.

Sipas tij, në historinë e Evropës është e rrallë të gjendet një rast kur një familje e vetme për tri ditë dhe tri net rresht i bën rezistencë një shteti policor dhe okupator.

“Edhe pse familja Jashari ishte e rrethuar nga mijëra forca të armatosura të pajisura me makineri të rëndë dhe mjete moderne ushtarake, ata luftuan dhe qëndruan deri në fund, duke dhënë jetën për lirinë e të gjithë neve”, theksoi Kurti, raporton Gazeta Stop.

Ai shtoi se për familjen Jashari kishte vetëm një kuptim – liria, duke theksuar se burrat, gratë dhe fëmijët e kësaj familjeje vendosën të qëndronin së bashku me kryekomandantin Adem Jashari dhe të mos dorëzoheshin.

Sipas kryeministrit, gjatë betejës së marsit 1998, të rinjtë e familjes morën pozicionet e tyre luftarake, ndërsa gratë dhe vajzat furnizonin pa ndërprerje me municion, duke e shndërruar kullën e Jasharëve në një fortesë të rezistencës shqiptare.

Kurti theksoi se pas këtyre tri ditëve, lufta në Kosovë mori një dimension tjetër, duke rritur mobilizimin popullor dhe duke forcuar legjitimitetin e rezistencës, ndërsa çështja e Kosovës mori vëmendje më të madhe ndërkombëtare.

Duke kujtuar fjalët e Rifat Jashari pas betejës, Kurti rikujtoi deklaratën e tij: “Humba 56 anëtarë të familjes, por fitova zemrat e 7 milionë shqiptarëve”.

Kryeministri theksoi se përkujtesa e kësaj ngjarjeje sjell edhe përgjegjësi për brezat e sotëm, pasi liria e Kosovës është ndërtuar mbi sakrificën e atyre që nuk u dorëzuan.

Ai shtoi se historia e familjes Jashari duhet të studiohet dhe trajtohet në mënyrë multidisiplinare, për të nxjerrë vlerësimet e sakta historike dhe për ta ruajtur këtë trashëgimi për brezat e ardhshëm.

“Si Qeveri e Republikës së Kosovës po punojmë që kjo histori dhe këto vlera kombëtare të dokumentohen, të ruhen dhe të përcillen te brezat e rinj, si në Kosovë ashtu edhe në mërgatë”, tha Kurti.

Në fund, ai bëri homazhe për komandantin legjendar dhe të gjithë të rënët për liri.

“Lavdi e përjetshme Kryekomandantit Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë”, përfundoi kryeministri.