Kurti kritikon institucionet: Pak aktakuza për sulmet e panumërta paramilitare

Kryeministri Albin Kurti ka kritikuar institucionet për mosngritjen e aktakuzave ndaj sulmuesve që ai i ka quajtur paramilitarë, të cilët rritën tensionet në veri të vendit.

Në takimin e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut të mbajtur të enjten, Kurti ka thënë se ka pasur arrestime e akuza të shumta, por që kanë përfunduar me lirime e arreste shtëpiake dhe jo aktakuza.

“Më duhet të theksoj se ka shumë informata për krimet vjet dhe sivjet. Vjet kur kishim barrikada paramilitare, sivjet kur kishim sulme paramilitare, por këto informata të shumta, ndonëse janë shndërruar në hetime të shumta, nuk janë reflektuar në aktakuza të shumta. Kemi shumë pak aktakuza për krimet e panumërta të kryera ndaj qytetarëve, rendit tonë kushtetues e juridik, integritetit tonë territorial në Kosovë, si në vitin 2022 ashtu edhe në vitin 2023. Edhe atëherë kur ka pasur arrestime dhe akuza, ka pasur lirime me arreste shtëpiake, ka pasur trajtim që nuk ka dekurajuar kriminelët”, është shprehur Kurti.

Ai më tej ka thënë se derisa kanë munguar aktakuzat ndaj të dyshuarve për sulme në veri, Qeveria është përballur me sfida si “përfundimi i reformave të saj në Gjykatën Kushtetuese”.

“Një sfidë që e kemi pasur si Qeveri është që reformat tona kanë përfunduar në Gjykatën Kushtetuese. Nga 16 nëntori i vitit të kaluar deri më 2 nëntor të këtij viti, i kemi 10 ligje të rëndësishme të reformës sonë që ose ngelen të ngujuara në Gjykatën Kushtetuese, ose janë rrëzuar apo deformuar aty”, ka theksuar Kurti.

Ai ka thënë se gjatë këtij viti janë mbyllur shumë rrugë kriminale e janë sekuestruat substanca narkotike.