Kurti: Kryeprokurori i ri duhet të ketë integritet të lartë moral e profesional

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të premten se kryeprokurori i ri i Kosovës duhet të jetë një person me integritet të lartë moral dhe profesional.

Në një postim në Facebook, Kurti ka thënë se pret që përzgjedhja e kryeprokurorit të jetë proces i drejtë, transparent dhe meritor.

Deklarata e Kurtit është bërë në ditën kur zhvillohet intervistimi i kandidatëve për këtë pozitë.

“Sot zhvillohet intervistimi i kandidatëve për kryeprokuror të shtetit. Ky proces është tejet i rëndësishëm për Republikën e Kosovës, për qytetarët dhe shtetin e së drejtës, prandaj ka vëmendjen e të gjithëve. Kosova dhe qytetarët kanë nevojë që të zgjidhet një kryeprokuror që ka intergritet të lartë moral dhe profesional por edhe që është i guximshëm, punëtor e energjik. Krimi i organizuar, korrupsioni i lartë dhe çdo lloj kriminaliteti duhen luftuar kudo e tërë kohën. Drejtësia nevojitet për dinjitetin dhe mirëqenien e qytetarit por edhe për sigurinë tonë shtetërore e kombëtare. Si kryeministër i vendit pres që ky proces të jetë i drejtë, transparent dhe meritor”, ka shkruar Kurti.

Kandidatët e rikonfirmuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për pozitën e kryeprokurorit të shtetit janë:

Armend Hamiti, Prokuror në Prokurorinë Themelore të Prishtinës;

Blerim Isufaj, Kryeprokuror në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës;

Kujtim Munishi, Kryeprokuror në Prokurorinë Themelore të Prishtinës;

Lulzim Sulejmani, Prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe

Shqipdon Fazliu, Prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.​