Kurti: Më ftuan për të bërë marrëveshje para marsit 2023, për atë shkova në Bruksel – nuk është hera e parë që kemi mospajtime me Borrellin

Kryeministri Albin Kurti ka folur për raportet e tij me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, ku ka thënë se nuk është hera e parë që ata nuk pajtohen mes vete.

Kurti ka thënë se ka shkuar në Bruksel për të bërë marrëveshje para marsit 2023, pasi që kështu ka qenë e shkruar në ftesën e BE-së për takimin e së hënës.

“Afatin mars 2023 nuk e kam shkru unë, e ka shkru Brukseli në ftesë. Në ftesën e Brukselit që synohej në fund të bëhej publike është paragrafi ku thuhej që bisedimet përfundojnë në mars 2023”, ka thënë Kurti në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri ka theksuar se ai ka kërkuar që marrëveshja të arrihet në shkurt, por nga BE-ja thanë që nuk bënë para marsit.

“Unë kam kërkuar që të jetë shkurti. Më shpejt më mirë, thanë jo nuk bënë shkurti por marsi. I thash shkurti ata thanë marsi, thash hajt pe lëmë marsi, e ata e lanë krejt. Çfarë të bëjë. Marsi nuk është ide e imja, ‘before march’ shkruan aty, e unë kisha dëshirë me qit para shkurtit, ata thanë para 1 marsit me u bë marrëveshja. Me atë ftesë unë e kam blerë biletën e avionit, përndryshe nuk do të kishte kuptim nëse kishin qenë vetëm targat”, tha Kurti.

Kryeministri shtoi se për gjashtë muaj është diskutuar çështja e targave nga ekipi i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.

“Mu më kanë thirr me bo marrëveshja para marsit 2023 dhe unë kam shku. Borrelli në konferencë nuk e përmendi marsin e vitit 2023, e la këtë”, tha Kurti.Reklama

Kurti shtoi se kredibilitetin e Borrellit e vlerësojnë vendet anëtare të BE-së, ato të cilat edhe e kanë zgjedhur.

“Atë e kanë zgjedh vendet anëtare të BE-së. Ata e vlerësojnë performancën e tij, unë në takime me të ja kaloj jashtëzakonisht mirë, unë mund të mos pajtohem me të, por kjo nuk është e reja. E reja është që s’po pajtohet me propozimin e BE-së. Nuk është hera e parë që ai nuk pajtohet me mua”, tha Kurti.