Kurti për heqjen e akcizës për naftën: Nuk e konsiderojmë politikë të dobishme


Kryeministri Albin Kurti ka folur për ngritjen e çmimeve të derivateve të naftës në vend.

Kurti gjatë konferencës për media tha se heqja e akcizës për naftën nuk mund të bëhet pasi konsiderohet si politikë e padobishme.

“Heqja e TVSH-së dhe akcizës nuk e konsiderojmë politikë të dobishme, sepse nuk u ndihmon atyre që janë më së shumti në nevojë. Dhe rasti i Gjermanisë ka treguar se çfarëdo heqjen e tatimit të naftë nuk i ndihmon më së shumti qytetarëve, përkundrazi mund të rris fitimin e tregtarëve”, tha ai.

Tutje shtoi se Qeveria dëshiron të ndihmojë qytetarët dhe jo tregtarët.

“Dëshirojmë që me politika sociale t’i ndihmojmë qytetarët dhe jo duke bërë hamendësime, të cilat në fund shndërrohen në superprofit për tregtarët e aspak lehtësime për qytetarët”, tha ai.

Ai ka thënë se çdo ditë përcjellin hyrjen e naftës në vend nga dogana dhe përcjellin çmimet brenda vendit.

“Në vazhdimësi jemi duke e përcjell naftën që hyn në kufi, çmimet në dogana ditë për ditë dhe jemi duke përpiluar një udhëzim administrativ si qeveri lidhur me çmimet e naftës. Mund të jetë shumë shpejt, por kurrsesi s’është larg. Synimi ynë është që të mbrojmë më aq sa mundemi konsumatorët, njëkohësisht të kujdesemi që tregu të mos deformohet dhe të ketë konkurrencë të barabartë. Të gjitha këto janë në fokus të qeverisë”, ka thënë Kurti.