Kurti: Po shqyrtojmë mundësinë për t’u furnizuar me gaz amerikan përmes Shqipërisë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Kosova po shqyrton mundësinë e furnizimit me gaz të lëngëzuar (LNG) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes bashkëpunimit me Shqipërinë dhe infrastrukturës së Vlorës.

Deklarata u bë gjatë ceremonisë së vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e parkut solar me kapacitet prej 105 megavatësh në Kramovik të Rahovecit.

“Po shqyrtojmë mundësinë për të përdorur gazin e lëngëzuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes bashkëpunimit me Shqipërinë në Vlorë”, tha Kurti.

Ai theksoi se Qeveria po vazhdon investimet në sektorin e energjisë së ripërtëritshme, duke bërë të ditur se ankandi për ndërtimin e kapaciteteve të reja të energjisë nga era, me kapacitet deri në 100 megavat, ka hyrë në fazën përfundimtare të dorëzimit të ofertave. Sipas tij, në garë janë tre ofertues të parakualifikuar me përvojë ndërkombëtare.

Kurti bëri të ditur gjithashtu se parku me erë në Zatriq, me kapacitet prej 70 megavatësh, është afër përfundimit, ndërsa Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), me mbështetjen e Bankës Zhvillimore Gjermane (KfW), ka hapur procedurat për ndërtimin e një parku solar me kapacitet prej të paktën 100 megavatësh.

Ai shtoi se, me mbështetjen e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Kosova po investon edhe në sisteme të baterive për ruajtjen e energjisë, në kuadër të një granti prej 202 milionë dollarësh, ndërsa ndërtimi i këtyre sistemeve pritet të nisë gjatë vitit të ardhshëm.

Sipas Kurtit, zhvillimi i burimeve të ripërtëritshme dhe diversifikimi i furnizimit me energji janë kyçe për rritjen e sigurisë energjetike dhe uljen e varësisë nga importi i energjisë, veçanërisht në kushtet e paqëndrueshmërisë gjeopolitike dhe luhatjeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.