Kurti: Të përkushtuar në zbatimin e politikave sociale që në fokus e kanë qytetarin dhe barazinë shoqërore

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se puna sociale përbën përpjekje të vazhdueshme për të përmbushur nevojat bazike të qytetarëve, për të rritur përgjegjësinë kolektive e për të ngritur mirëqenien qytetare.

Sipas tij, këto themele të punës sociale materializohen përmes shërbimeve e politikave sociale, që kontribuojnë në eliminimin e rreziqeve, të cilat u kanosen grupeve të cenueshme, pastaj kontribuojnë në zvogëlimin e varfërisë, në mbrojtjen nga diskriminimi e keqtrajtimi, e të tjera.

Ai theksoi se Kosovës, krahas politikave zhvillimore, në programin e saj ka prioritet mbrojtjen sociale për qytetarët me programet adekuate të qëndrueshme, pra afatgjate.

Kryeministri tha se që nga fillimi i këtij mandati janë ndërmarrë një sërë masash, që ndihmojnë drejtpërdrejt grupet e cenueshme të shoqërisë, duke filluar nga rritja e shumës së asistencës sociale, rritja e pensioneve e fillimi i zbatimit të programit për shtesa për lehona e shtesa për fëmijë, theksoi kryeministri, duke shtuar se si rezultat i këtyre masave, kanë përfituar rreth 26 mijë familje në asistencë sociale, mbi 300 mijë pensionistë, 12 mijë lehona dhe mbi 140 mijë fëmijë.

Kurti theksoi se si Qeveri mbesim të përkushtuar në hartimin dhe zbatimin e politikave sociale që në fokus e kanë qytetarin dhe barazinë shoqërore, theksoi kryeministri.

Kjo konferencë nacionale, me temën  “E tashmja dhe e ardhmja e Punës Sociale në Kosovë”, u organizua me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Punës Sociale, nga  Lidhja e Qendrave për Punë Sociale dhe Departamenti Punë Sociale, Fakulteti Filozofik, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, me përkrahjen e partnerëve:  Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF), Terre Des Hommes, SOS Fshatrat e Fëmijëve, Organizata për Fëmijët pa Kujdes Prindëror (OFAP), UNICEF dhe Save the Children.