Kusari: Qeveria Kurti nuk do të rrëzohet në vjeshtë

Shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Arben Gashi, mbrëmë ka deklaruar se në vjeshtë pritet që të bie Qeveria Kurti 2,, duke shtuar se tetë deputetë të koalicionit qeverisës pritet të kalojnë në LDK.

“Ka indikacione, ka lëvizje dhe interesime, janë tetë deputetë që kanë shprehur interesim për të ardhur në koalicion”, ka thënë Gashi.

E për pretendimet e Gashit, ka reaguar shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari.

Ajo ka thënë se këto pretendime nuk qëndrojnë, duke i quajtur më shumë spekulative dhe se nuk ka asgjë të vërtetë.

“Fare nuk besoj se qëndrojnë këto pretendime për arsye se nuk ka pasur as indikacione apo shprehje të vullnetit për të kaluar apo pakënaqësi për brenda grupit. Situata është normale në grup, me një frymë komunikimi dhe bashkëpunimi, prandaj për më tutje, për kë ka menduar besoj që Gashi duhet të flas, por më tepër e shoh si deklaratë spekulative sesa diçka përmbajtësore,” u shpreh Kusari-Lila për portalin Dukagjini.

Tutje Kusari-Lila u shpreh se Qeveria është duke punuar, pasi kanë hyrë në vitin e dytë qeverisës dhe ky mandat do të vazhdojë.

“Janë po të njëjtit që i kanë paraparë pak muaj, më pak se një vit e kështu me radhë të Qeverisë, prandaj ne kemi hyrë në vitin e dytë të qeverisjes dhe po besoj që Qeveria do të vazhdojë në mandatin e saj të rregull deri në vitin 2025 kur do të mbahen zgjedhje tjera parlamentare,” ka thënë Kusari-Lila.