Kushtetuesja e konfirmon: Mbi 40 milionë euro do t’u kthehen qytetarëve që paguajtën rrymë për veriun

Më se 40 milionë euro do t’u kthehen konsumatorëve të cilët kishin paguar rrymën për serbët në veri bazuar në një vendim të marrë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

Tashmë vendimi ka marrë formën përfundimtare, pasi një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga Gjykata Kushtetuese, e cila nuk ka gjetur asnjë shkelje në vendimin e Themelores, Apelit dhe Supremes.

“Rrjedhimisht, Gjykata, duke aplikuar kriteret dhe parimet e elaboruara përkitazi me vendimin e arsyetuar gjyqësor, dhe në veçanti duke u bazuar në interpretimin e dhënë përmes Aktgjykimeve të gjykatave të rregullta të kontestuara para Gjykatës, konstatoi që të njëjtat kanë adresuar dhe u janë përgjigjur të gjitha pretendimeve thelbësore të parashtruesit të kërkesës të ngritura përmes përgjigjes në padi, përkatësisht ankesës, si dhe kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, dhe konstatoi që Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, nuk është në kundërshtim me dispozitat e kontestuara të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Kushtetuese.

“Në vijim, për sa i përket ndërlidhjes së pretendimeve të Zyrës për Rregullatorin për Energji me të gjeturat e Gjykatës në Aktgjykimin KO93/21 , me parashtrues Blerta Deliu-Kodra dhe 12 deputetë të tjerë, Aktgjykimi sqaron që ky rast dallon në mënyrë përmbajtjesore nga rrethanat e rastit konkret, ndër tjerash, sepse në rastin KO93/21, Gjykata kishte vlerësuar kushtetutshmërinë e Rekomandimeve [Nr.08-R-01] të 6 majit 2021 të Kuvendit të Republikës së Kosovës, sipas të cilave (i) ishte autorizuar KOSTT që të mbulojë devijimet e energjisë elektrike në katër (4) komuna të Republikës së Kosovës, duke shfrytëzuar të hyrat nga buxheti vetanak, mjete këto të cilat do të kompensohen “nga dividenda apo ndonjë mekanizëm tjetër i mundshëm”; dhe (ii) ishte detyruar Qeveria e Kosovës, që brenda afatit gjashtë (6) mujor të sigurojë të gjithë procesin e futjes në sistemin e faturimit, sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi, në bashkëpunim me palët përgjegjëse, për faturimin e konsumatorëve në katër (4) komunat përkatëse me energji elektrike”, thuhet në njoftim.

“Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykimin KO93/21, Gjykata, kishte konstatuar që akti i kontestuar i Kuvendit nuk është në kundërshtim me dispozitat përkatëse të Kushtetutës, ndër tjerash, sepse dallimi në trajtimin e konsumatorëve të energjisë elektrike në bazë të vendbanimit, (i) ndjektë qëllimin legjitim të zbatimit të marrëveshjes së Kyçjes me ENTSO-E, përkatësisht Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energjinë Elektrike; dhe (ii) ishte i natyrës së përkohshme. Marrë parasysh dispozitat ligjore, qëllimin legjitim dhe përkohshmërinë e aktit të kontestuar të Kuvendit, përfshirë detyrimin e Qeverisë që të adresojë çështjet që ndërlidhen me sistemin përkatës të faturimit, Gjykata kishte vlerësuar që i njëjti ishte proporcional me qëllimin e ndjekur”, bëhet e ditur më tutje.