Kuvendi i Kosovës është konstituuar të dielën, por procesi është përmbyllur pa zgjedhjen e nënkryetarit që i takon Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
PDK kishte propozuar Vlora Çitakun për këtë pozitë, por pas zhvillimeve në seancën konstituive, kandidatura e saj nuk u votua dhe Kuvendi u shpall i konstituuar edhe pa këtë pozitë, shkruan Gazeta Stop.
Menjëherë pas konstituimit, Lëvizja Vetëvendosje propozoi Albin Kurtin për mandatar dhe më pas Kuvendi votoi Qeverinë e re.
Kjo ka hapur një tjetër pikëpyetje kushtetuese: a mund të ndikojë kontesti për mënyrën e konstituimit të Kuvendit edhe në vlefshmërinë e Qeverisë së votuar?
PDK e ka kundërshtuar procesin dhe ka paralajmëruar ndjekjen e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka konsideruar procesin jokushtetues dhe ka bojkotuar seancën për votimin e Qeverisë.
Në anën tjetër, Kurti ka deklaruar se Kuvendi është konstituuar dhe se çështja e nënkryetarit nga PDK-ja mund të zgjidhet në momentin kur kjo parti të rikthehet në Kuvend.
Tash vëmendja mund të zhvendoset te Gjykata Kushtetuese, nëse çështja dërgohet për shqyrtim.
Kushtetuesja nuk funksionon si një votëbesim politik dhe nuk e rrëzon Qeverinë thjesht për shkak të mungesës së një nënkryetari. Megjithatë, nëse do të konstatohej se janë shkelur dispozitat kushtetuese në procesin e konstituimit të Kuvendit apo në hapat pasues për formimin e institucioneve, një vendim i saj mund të prodhonte pasoja për procesin institucional.
Pra, votimi i Qeverisë me 62 vota nuk e mbyll domosdoshmërisht debatin kushtetues. Përballë Qeverisë së re tash qëndron një tjetër sfidë: nëse mënyra se si u konstituua Kuvendi do të kontestohet dhe si do ta vlerësojë këtë proces Gjykata Kushtetuese.
Në këtë fazë, është e pasaktë të thuhet se Kushtetuesja patjetër do ta rrëzojë Qeverinë. Kjo do të varet nga çështja që do t’i paraqitet Gjykatës dhe nga vendimi i saj.