LDK-ja kundërshton rritjen e tarifave për rrymën, dërgon komentet në ZRRE

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka njoftuar për dërgimin e komenteve në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë sa i përket rritjes së tarifave të energjisë elektrike.

Në një konferencë për media, anëtari i kryesisë së LDK-së, Xhafer Tahiri njoftoi se nëpërmjet këtyre komenteve me përmbajtje kushtetuese, kjo parti ka kundërshtuar rritjen e tarifave për energjinë elektrike.

“LDK sapo ka nisur komentet e saja në ZRRE lidhur me raportin vlerësues për ngritjen e tarifave për energjinë elektrike. Për LDK-në mbrojtja e interesave të qytetarëve është jetike përmes mekanizmave institucionalë në këtë rast, duke i dërguar komentet e veta në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, duke kundërshtuar rritjen e tarifave për energjinë elektrike”, ka thënë Tahiri.

Në këtë konferencë e pranishme ishte edhe anëtarja tjetër e kryesisë së LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila tha se ky subjekt politik do të ndjekë rrugën institucionale nëse është e nevojshme në mënyrë që të mbrohet e drejta e qytetarëve.

Bajrami tha se kriza e energjisë elektrike ka nisur në vitin 2021, por se sipas saj, ekzekutivi ka vepruar sikur të ishte spektator.

Madje, ajo tha se ndarja e subvencionit nga ana e Qeverisë nuk është ndarje në bazë të standardit të jetesës e as nuk kontribuon në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Jemi të vetëdijshëm që është krizë globale, por jemi të sigurt që qeveria ka dështuar thellë në menaxhimin e kësaj krize. LDK do të ndjek rrugën institucionale, nëse është nevoja do të mbrojmë të drejtën e qytetarëve edhe në Gjykatën Kushtetuese. Kemi pa se Qeveria e Republikës së Kosovës ka zotuar 75 milionë euro, me të cilët ka vendosur të subvencionojë ekonomitë familjare deri në 600 KW dhe sektorin e biznesit, konsiderojmë se shpërndarja e subvencionimit duhet të bëhet për të gjithë qytetarët pa dallim, sepse ndarja e 600 KW as nuk është ndarje në bazë të standardit të jetesës, e as nuk është kurrfarë kriteri që do të kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve”, u shpreh Bajrami në konferencë.

Ajo njoftoi që propozimi i LDK-së është që Qeveria ta ulë tatimin mbi vlerën e shtuar për energjinë elektrike në zero.

“Ne konsiderojmë që ngritja e tarifave do e rëndonte jetën e qytetarëve tanë, andaj kemi propozuar që komplet në vitin 2022 të mos ketë ngritje të tarifave. Jemi zotuar që nëse propozimet e tilla kalojnë, Lidhja demokratike e Kosovës do e sfidojë një vendim të tillë edhe në Gjykatën Kushtetuese”.