Limaj: Me marrëveshjen e dëmshme të Kurtit, Serbia bëhet hisedare në Kosovë

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur për Marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë.

Limaj ka thënë se pika 7 e Marrëveshjes së Brukselit është marrëveshja e vitit 2015.

“Në pikën 7 janë organet e Asociacionit, nga Kuvendi, Bordi, kryetari dhe stema e flamurit. Kompetencat do të bisedohen me status”, ka thënë Limaj në RTV Dukagjini.

Ndër të tjera, Limaj, këtë Marrëveshje e ka vlerësuar si “të keqe” dhe “të rëndë” për Kosovën.

“Kosovës i ka ardhur një marrëveshje shumë e keqe, e rëndë… Serbia me këtë marrëveshje bëhet hisedare në Kosovë”, ka thënë tutje Limaj duke shtuar se në këtë marrëveshje një pjesë është version i ish-kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiq.

“Plani i Gjingjiqit ka pasur dy drejtime: sa më shumë të drejta të komunitetit serb në Kosovë dhe e dyta të rikthehet e drejta e shtetit serb mbi Kosovën”, ka shtuar Limaj.

Në pyetjen e moderatorit se Kurti po thotë se ky nuk është Asociacion, nuk është ‘Zajednicë”, Limaj ka thënë se “ai [Kurti] s’ka lidhje me lexua dokumente ndërkombëtare. Mos harroni, e keni një njeri në krye të qeverisë që kurrë se ka lexuar situatën e Kosovës ose kur e ka lexuar, e ka lexuar keq”, duke u shprehur se ka qenë fat që nuk ka ndodhur ashtu siç e ka lexuar ai situatën në Kosovë.