Mbi 4 mijë punëtorëve të këtij sektori iu rritet paga për 150 euro

Me Ligjin e Ri të Pagave do të preken edhe rrogat e mbi 4 mijë nëpunëseve teknik. 

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhy Dobra ka bërë me dije se sa do të pësojë rritje paga e nëpunëse.

“Nëpunësi Teknik dhe mbështetës të nivelit të tretë e që njëkohësisht është paga më e ulët në sistem, kalon nga 241 euro në 394 euro. Pra, në këtë pikë kemi 4157 zyrtarë paga e të cilëve do të kalojë nga 241 euro në 394 euro”, tha Dobra në konferencën e përbashkët me ministrin e Financave, Hekuran Murati.

Dobra bëri me dije që ky ligj do të fillojë të zbatohet nga data 6 shkurt.

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme, ka vendosur që vlera monetare e koeficientit të pagave të jetë 105 euro për vitin 2023, e 110 euro për vitin 2024.

Kjo shumë do të shumëzohet me nivelin e koeficientit – që varion nga 2 deri në 18 – dhe prodhon vlerën e pagës.

Ligji për Pagat në Sektorin Publik është hedhur në votim dhe miratuar nga deputetët pa e ditur vlerën e koeficientit, e madje edhe është dekretuar si i tillë nga Presidentja.