Mbreti Charles III i drejtohet për herë të parë kombit, i bëri homazhe edhe Mbretëreshës Elizabeth II

Në fjalimin e parë drejtuar kombit si monark, Mbreti Charles III i bëri një nderim emocional nënës së tij.

Mbretëresha Elizabeth II ka ndërruar jetë në moshën 96-vjeçare në Balmoral të Skocisë, raporton skynews.

Ai thotë se ndihet i pikëlluar me vdekjen e “nënës së dashur”, për të cilën thotë se ishte “frymëzim dhe shembull për mua dhe gjithë familjen time”.

Mbreti thotë se ajo kishte një jetë të mirë dhe se do t’iu mungojë përjetësisht, transmeton Telegrafi.

I ulur pranë një fotografie të nënës së tij dhe i veshur me një kostum të zi dhe kravatë, ai thotë se nëna e tij “sakrifikoi për detyrën”.Reklama

Mbreti thotë se “dashuria, admirimi dhe respekti” i frymëzuar nga Mbretëresha “u bë shenjë dalluese e mbretërimit të saj”.

“Siç mund të dëshmojë çdo anëtar i familjes sime, ajo i kombinoi këto cilësi me ngrohtësinë, humorin dhe një aftësi të pagabueshme për të parë gjithmonë më të mirën te njerëzit”, thotë ai.

“Siç bëri vetë Mbretëresha me një përkushtim të tillë të palëkundur, edhe unë tani zotohem solemnisht, gjatë gjithë kohës që më jep Zoti, do të mbajë parimet kushtetuese në zemër të kombit tonë”, pohoi Mbreti.

“Krahas pikëllimit personal që po ndjen e gjithë familja ime, ne ndajmë fatin e njëjtë me shumë prej jush në Mbretërinë e Bashkuar, në të gjitha vendet ku mbretëresha ishte kreu i shtetit, në Komonuelth dhe në mbarë botën, një ndjenjë të thellë mirënjohjeje për më shumë se 70 vitet në të cilat nëna ime si Mbretëreshë u shërbeu njerëzve të kaq shumë kombeve. Në vitin 1947, në ditëlindjen e saj të 21-të, ajo u zotua në një transmetim nga Cape Town në Commonwealth t’ia kushtonte jetën e saj – qoftë e shkurtër apo e gjatë – në shërbim të popullit të saj. Ky ishte më shumë se një premtim. Ishte një angazhim i thellë personal, i cili përcaktoi tërë jetën e saj”, deklaroi ai.

Mbreti Charles III pranon se tani do të ketë më pak kohë për punët bamirëse dhe çështjet që ka mbrojtur gjatë kohës së tij si një pjesëtar i familjes mbretërore.

Ai foli edhe për gruan e tij të dashur Camilla, duke konfirmuar se ajo është bërë bashkëshortja e tij mbretëreshë.

“Unë e di se ajo do të përmbush punët që ia jep roli i saj i ri dhe se do t’i kryej ato me përkushtim, në të cilën kam arritur të mbështetem kaq shumë”, thotë ai.

Përmendet edhe Princi William, i cili thotë se do të bëhet trashëgimtari i tij si Princi i Uellsit.Reklama

“Me Katerinën pranë tij, Princi dhe Princesha jonë e re e Uellsit, unë e di, do të vazhdojnë të frymëzojnë dhe udhëheqin bisedat tona kombëtare”, thotë ai.

Dhe – pavarësisht marrëdhënieve të vështira në vitet e fundit – ai gjithashtu i bëri homazhe Dukës dhe Dukeshës së Sussex, duke thënë se dëshiron të “shpreh dashurinë time për Harry dhe Meghan ndërsa ata vazhdojnë të ndërtojnë jetën e tyre jashtë shtetit”.

Ai e mbyll fjalën me një homazh emocionues për nënën e tij.

“Nëna ime e dashur, ndërsa fillon udhëtimin tënd të fundit madhështor për t’iu bashkuar babait tim të ndjerë të dashur, dua të them thjesht këtë: faleminderit. Faleminderit për dashurinë dhe përkushtimin tuaj ndaj familjes tonë dhe ndaj familjes së kombeve që i ke shërbyer me kaq zell gjatë gjithë këtyre viteve. “Uroj që të gjithë engjëjt të këndojnë në prehjen tënde”.