Mehmeti: Jam krenar për zhvillimin e sektorit të sigurimeve

Në përfundim të mandatit 5 vjeçar, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti tha se me gjithë vështirësitë me të cilat janë ballafaquar si institucion, BQK ka arritur të zbatojë objektivat e saj.

“Unë personalisht si Guvernator, jam i lumtur dhe krenar të ju informoj që gjatë pesë viteve të fundit Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka arritur të zbatojë objektivat e saj, duke siguruar një sistem financiar të qëndrueshëm, e sidomos vitet e fundit, arriti të përballojë me sukses krizat e shkaktuara nga pandemia Covid 19 e tani edhe agresioni rus në Ukrainë, por edhe të jetë një nga shtyllat kryesore të mbështetjes për bizneset dhe individët, dhe me këtë edhe të ekonomisë së vendit”, tha ai.

Guvernatori foli edhe për zhvillimin e sektorit të sigurimeve. Sipas tij për zhvillimin e këtij sektori është krenar që ka ndryshuar shumë pozitivisht.

“Andaj, nëse ka ndonjë gjë për të cilën ndihem krenar, është pikërisht zgjidhja e problemit të sektorit të sigurimeve dhe marrja e masave për përmirësimin dhe pajtueshmërisë së këtij sektori me kërkesat ligjore, duke marrë parasysh se që nga themelimi dhe funksionimi i tij, nuk është marrë askush me këtë sektor dhe zgjidhjen e pajtueshmërisë së tyre me kërkesat ligjore”, tha Mehmeti.

Sipas tij sektori financiar në vend ka pasur stabilitet.

“Sektori bankar në Kosovë gjatë kësaj periudhe ka shënuar rritje të vazhdueshme si në numrin e institucioneve e njëkohësisht edhe në rritje të aktivitetit të këtij sektori. Nga dhjetë banka sa ishin në fund vitit 2018 deri në tetor të vitit 2022, ky numër u rrit në dymbëdhjetë duke ju shtuar edhe dy institucione Financiare me aktivitet bankar,” tha ai, raporton RTKlive.

Sipas tij sektori bankar përgjatë periudhës 2018 – tetor 2022 ka shënuar rritje të aseteve prej 2.6 miliardë euro ose 61.6 përqind.

“Vlera totale e aseteve në fund të vitit 2022 ishte 6.76 miliardë euro, nga 4.18 miliardë si ishin në fund të vitit 2018. Rritja e aseteve të sektorit bankar rezultoi edhe me rritjen e portofolit kreditor që në dhjetor të vitit 2022 arriti vlerën prej 4.35 miliardë eurove, nga 2.75 miliardë sa ishin në vitin 2018. Në kontekstin kohor 2018 – 2022, niveli i kredive aktive u rritën për 1.6 miliardë, ose rritje prej 57.9 përqind gjatë këtyre pesë viteve. Rritja e theksuar e kredive nuk ka ndikuar në rritjen e kredive joperformuese, që në fund të vitit 2022 niveli i kredive joperformuese ishte 2 përqind, i krahasueshëm me sistemet bankare të Bashkimit Evropian”, tha ai.

Duke shtuar se kreditë vazhdojnë të jenë zëri kryesor bilancor në kuadër të aseteve të bankave me një pjesëmarrje prej 64.3 përqind në dhjetor 2022.

“Rritja e kredive është mbështetur kryesisht nga rritja e depozitave ku në dhjetor 2022 niveli i gjithsej depozitave ishte 5.55 miliardë euro, rritje për 2.19 miliardë euro apo 65.1 përqind në horizontin kohor 2022 krahasuar me 2018”, tha ai.

No description available.