Vodhën 40 mijë euro dhe ari në vlerë 25 mijë euro nga një shtëpi në Ferizaj, Policia arreston një të dyshuarve

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshimtë për vjedhje të rëndë në Ferizaj.

Rasti kishte ndodhur më 18.03.2023 rreth orës 04:00 në një shtëpi banimi në fshatin Greme të Ferizajt, ku persona të panjohur kanë depërtuar me forcë dhe nga aty dyshohet se kanë vjedhur para në vlerë prej 40 mijë euro, stoli ari në vlerë prej 25 mijë euro dhe dy armë zjarri (pistoleta) me leje dhe sasi municioni.

“Sektori Rajonal i Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj,  nën autorizim të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj i kishte marr të gjitha veprimet e nevojshme dhe kishte nisur hetimet. Hetuesit rajonal pas një punëve intenzive, grumbullimit të informacioneve në terren, shikimit të kamerave të sigurisë, kanë arritur që të sigurojnë prova të mjaftueshme dhe me datën 27.03.2023 rreth orës 19:30 kanë arrestuar të dyshuarin S.I (M/K) i moshës 49 vjeçar, i cili dyshohet se ka kryer vjedhje të rëndë”,thuhet në njoftim, transmeton lajmi.net.

I dyshuari S.I është shoqëruar në Sektorin Rajonal të Hetimeve në Ferizaj dhe pas intervistimit të tij, në prani të avokatit mbrojtës, me vendim të prokurorit të rastit është ndaluar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore.