Meta: Më 13 shtator protestë te inceneratori i Tiranës

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka njoftuar se të martën që vjen, më 13 shtator, kjo forcë politike do të zhvillojë protestën e parë pasi ai mori drejtimin e saj, te inceneratori i Tiranës.

Meta e quajti vendin e protestës së thirrur nga Partia e Lirisë si “kryeveprën” e korrupsionit të Qeverisë, ndërsa ftoi qytetarët që të marrin pjesë.

“Protesta e parë në vendin e krimit, ta bëjmë pas një jave, të martën që vjen në orën 18:00 tek inceneratori i Tiranës. Këtë çështje të helmimit të popullatës, do ta kemi një superprioritet”, u shpreh Meta në një konferencë për mediat.

“Ashtu siç kemi korrupsionin prioritetin numër 1 dhe afera e inceneratorëve ka qenë dhe mbetet kryevepra e korrupsionit, jo thjesht në sasi, është shumë më tepër se 500 mln euro. Ka edhe afera më të mëdha siç është porti i Durrësit”, u shpreh më tej ai.